Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar një video që përmban edhe një copë komunikimi në një telefonatë me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po mbahet në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë, i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Rama dëgjohet duke e uruar Thaçin për përvjetorin e 18-të të pavarësisë.
“Gëzuar pavarësinë edhe ty komandant”, dëgjohet duke thënë ai, ndërsa Thaçi nis t’i flasë.
Rama i thotë edhe se është shqetësuar “me këtë histori”.
“Vëllai im, të përqafoj fort, të du shumë. Më vjen shumë keq që s’bëj dot më shumë po… gëzuar dhe të përqafoj shumë fort dhe të fala atyre shokëve”, dëgjohet duke i thënë Rama Thaçit.
Rama e përshkroi telefonatën si të vështirë emocionalisht, duke treguar në përshkrimin e tij në Facebook disa fjalë që ia përsëriti Thaçi.
“Prej vitesh telefonata e urimit të 17 shkurtit nga Haga është e vështirë emocionalisht, por sot Komandanti ishte si asnjëherë i qetë në zërin e tij, duke ma përsëritur dy herë, në fillim e në fund, “Unë e kam fituar përjetë lirinë dhe kudo të ndodhem atë nuk ma merr dot kurrë askush!””.



