spot_img
E enjte, 12 Shkurt, 2026
23:50
HomeKulturëPërkujtohet Injac Zamputi, historiani, studiuesi, kritiku e diplomati shqiptar

Përkujtohet Injac Zamputi, historiani, studiuesi, kritiku e diplomati shqiptar

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Instituti i Historisë përkujtoi sot një nga historianët më të shquar latinist, Injac ZAMPUTIN. Ai lindi më 12 shkurt 1910 në Shkodër.

Me kritikën e tij të hollë mbi artin dhe letërsinë, Zamputi arriti të renditej në krah të figurave më të spikatura të zenitit kulturor të shekullit të kaluar.

- Advertisement -

Zamputi kreu Kolegjin Saverian të Jezuitëve, ndërsa studimet universitare i bëri në Trieste, ku pati si temë diplome ngulimet venedikase në Adriatik. Në vitet `30 prof. Zamputi punoi si mësues i letërsisë në Kolegjin Saverian në Shkodër dhe bashkëpunonte në revistat e njohura “Hylli i Dritës” e “Leka”. U mor edhe me krijimtari letrare.

Pas çlirimit të vendit, shërbeu si mësues i letërsisë në gjimnazin e Gjirokastrës.

- Advertisement -

Me themelimin e Institutit të Shkencave në Tiranë, u thirr për të vazhduar punën e tij shkencore, të cilën e pat nisur së bashku me At Zef Valentinin, porsa qe diplomuar në Trieste, për shkenca politike, duke mbrojtur temën historike “700-a Veneciane dhe Shqipëria”. U emërua punonjës shkencor në sektorin e historisë mesjetare në Institutin e Historisë.

Përmes intuitës së tij prej historiani, arriti të sjellë fakte dhe zbulesa të reja në fushën administrativo-historike për Shqipërinë nën pushtimin osman.

Historisë së Mesjetës i kushtoi dyzet vjet punë, kërkime me pasion, ku u shqua përherë për nivelin e lartë shkencor.

Ndër punimet e para qenë zbërthimi i alfabetit të dorëshkrimit të Anonimit të Elbasanit, transkriptimi dhe komentimi i tij, zbërthimi i alfabetit të panjohur të një poezie me përmbajtje bektashiane të shekullit XIX dhe, njëherësh, realizimi i librit “Përpjekjet e shqiptarëve për liri e pavarësi në shekujt XVI-XVII”, etj.

Profesor Zamputi mbeti njohësi më i mirë i latinishtes mesjetare, transkriptuesi e interpretuesi i shkrimeve të periudhës së shekujve XIV-XVII, duke zbuluar në këto shekuj vlerat e vërteta historike e kombëtare të popullit tonë, botuar në një varg veprash të shquara në serialin “Dokumente për historinë e Shqipërisë”, herë me bashkautor e herë vetëm, gjithmonë i aftë për t’u dhënë zgjidhje problemeve më të koklavitura gjuhësore e historike.

Është dekoruar me Urdhrin “Punonjës i shquar i shkencës dhe i teknikës”.

Injac Zamputi u nda nga jeta më 28 shkurt 1998 në Tivoli të Italisë dhe, sipas porosisë së tij të fundit, u soll të prehet përgjithmonë në Shqipëri (Tiranë), në atë vend që i kushtoi jetën dhe veprën e tij. /atsh

spot_img
ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat