Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në Bokshiq të Klinës, ku një person ka humbur jetën pas të shtënave me armë zjarri. Raportohet se deri te kjo ngjarje tragjike ka ardhur pas një përleshje mes vëllzerëve, ku dyshohet se njëri prej tyre ka qëlluar tjetrin me armë zjarri.
Lajmin për media e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë rajonale të Pejës, Fadil Gashi.
“Ngjarja ka ndodhur në orën 15:08, ndërsa i plagosuri është dërguar në emergjencën e Spitalit të Pejës, ku edhe ka ndërruar jetë. Në vend të ngjarjes është sekuestruar një armë, dhe tri gëzhoja, ndërsa është arrestuar një person”, tha ai.
Gashi ka bërë të ditur se njësit policore dhe të Prokurorisë janë në vendin e ngjarjes dhe po kryejnë procedurat hetimore lidhur me këtë rast të rëndë.
Prokuroria: I dyshuari është arrestuar
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Pejë përmes një komunikate ka bërë të ditur se Policia e Kosovës në vendin e ngjarjes e ka arrestuar personin e dyshuar, i cili me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë i dyshuar për veprën penale “Vrasje e Rëndë”.
Edhe prokuroria ka bërë të ditur se viktima është dërguar për në Spitalin Rajonal të Pejës për trajtim mjekësor, mirëpo si pasojë e plagëve të rënda e ka humbur jetën. Tutje theksohet se vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar në Spitalin Rajonal të Pejës.



