spot_img
E diel, 28 Shtator, 2025
14:40
HomeKosovaKuvendiPËRMBLEDHJE / Ndërpritet seanca konstituive, vazhdon pas 48 orësh

PËRMBLEDHJE / Ndërpritet seanca konstituive, vazhdon pas 48 orësh

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka ndërprerë seancën pas dështimit të dytë që Albulena Haxhiu të zgjidhet kryeparlamentare. Ai ka njoftuar se seanca është shtyrë për të hënën.

Dështon për herë të dytë zgjedhja e Albulena Haxhiut si kryeparlamentare

- Advertisement -

Ka dështuar për herë të dytë votimi i propozimit të Albulena Haxhiut për kryeparlamentare. Nga 112 deputetë që kanë qenë prezentë gjatë procesit të votimit, ishin 57 pro, 19 kundër dhe 3 abstenime.

Me këtë rast, vazhdimi i seancës konstituive do të mbahet sërish pas 48 orësh, ditën e hënë.

- Advertisement -

“Propozimi ynë është i njëjti, padyshim Albulena Haxhiu. Ju kisha lut edhe si kolegë, shumë prej juve me shumë mandate në Kuvendin e Kosovës, ta mbështetni këtë propozim sepse vetëm kështu nuk bëhemi pjesë e bllokimit të themelimit të institucioneve dhe të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Konjufca gjatë ri-propozimit.

Dështon zgjedhja e Albulena Haxhiut si kryeparlamentare

Ka dështuar zgjedhja e kandidates së Vetëvendosjes për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu. Kanë votuar vetëm 57 deputetë pro emërimit të saj. Albulena Haxhiu nuk ka arritur të zgjidhet kryetare e Kuvendit të Kosovës të legjislaturës së nëntë.

“Konstatoj se Kuvendi i Kosovës me 57 vota për, 20 vota kundër dhe 3 abstenime nuk e ka votuar kandidaten e propozuar për kryetare të Kuvendit nga LVV”, ka njoftuar Avni Dehari.

Dehari kishte njoftuar gjatë fillimit të votimit, se në sallë ishin 119 deputetë. Seanca vazhdoi me një pauzë të shkurtër.

Lëvizja Vetëvendosje si partia me më së shumti vota, ka propozuar për kryeparlamentare të legjislaturës së nëntë emrin e saj.

“LVV për kryetare të Kuvendit të Kosovës e propozon Albulena Haxhiun”, ka thënë nënkryetari i kësaj partie, Glauk Konjufca.

Betohen 119 deputetët e legjislaturës së nëntë

Deputetët e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës janë betuar me ceremoninë e betimit pas votimit të raportit të mandateve.

Me 119 vota pro, ka kaluar në Kuvendin e Kosovës raporti për Verifikim e Kuorumit dhe Mandateve të Deputetëve, të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.

“Konstatoj se 119 deputetë unanimisht kanë votuar raportin me votën për”, ka thënë Avni Dehari, kryesus i Kuvendit të Kosovës.

Para votimit, kryesuesi i Komisioni i Përkohshëm për Verifikim e Kuorumit dhe Mandateve të Deputetëve, Artan Abrashi, ka theksuar se komisioni ka konstatuar vlefshmërinë e mandateve të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Në seancë konstitutive janë 120 deputetë, andaj Komisioni mbështetur në dokumentacionin e KQZ-së për certifikimin e zgjedhjeve, së bashku me listën përfundimtare të deputetëve i rekomandon seancës konstituive me vota unanime të anëtarëve të komisionit të përfaqësuar nga subjektet politike parlamentare, që t’i vazhdojë punimet sipas agjendës së paraparë me rregulloren e Kuvendit”, ka thënë kryesuesi i Komisioni i Përkohshëm për Verifikim e Kuorumit dhe Mandateve të Deputetëve, Artan Abrashi, gjatë prezantimit të raportit, pas mbledhjes së komisionit.

Përfundon mbledhja e Komisionit për verifikimin e mandateve

Ka mbaruar mbledhja e Komisionit për verifikimin e mandateve të deputetëve. Deputetët janë duke u kthyer në sallën e Kuvendit të Kosovës.

LVV: Asgjë nuk ka ndryshuar nga praktika e 15 prillit

Pas takimit të Komisionit Verifikues të mandateve, deputetët e zgjedhur nga Lëvizja Vetëvendosje kanë konfirmuar se ky subjekt politik nuk ka dorëzuar ndonjë dorëheqje të ministrave, përveç asaj që është dorëzuar më 15 prill.

“Asgjë nuk ka ndryshuar nga praktika e 15 prillit, vetëm se sot opozita ka dëshmuar se nuk ka qenë një kauzë reale dhe e vërtetë, por vetëm një vonesë në formimin e institucioneve. Si duket ndikoj shumë përmendja e zgjedhjeve, nuk janë të gatshëm për zgjedhje e kanë vetëm deklarim për media. Nuk është dorëzuar asgjë prej asaj që ka ndodhur me 15 prill. Ministrat kanë dorëzuar dorëheqjet te kryeministri dhe kryeministri e ka njoftuar kryetarin e kuvendit”, tha Kërçeli.

Kurse, Dimal Basha, e ka quajtur kauzë të rrejshme të opozitës dhe mbajtje peng të Kuvendit të Kosovës, mos votimin e mëhershëm të raportit për verifikimin e mandateve.

“Nuk mund të thuhet a ka dhënë dorëheqje ministri apo ministrja, për shkak se kur jep dorëheqje kryeministri, nuk ka mundësi të qëndrosh si ministër në detyrë”, ka thënë Basha.

Krasniqi tregon çka ndryshoi në raportin për mandatet, që rezultoi me votim të opozitës

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se kanë kërkuar evidentimin e saktë të dorëheqjes së kabinetit qeveritar, duke përfshirë edhe ministrat përveç kryeministrit.

“Kërkesa dhe rekomandimi i përfaqësuesit të PDK-së, deputetit Përparim Gruda, është pranuar, që të evidentohet saktësisht në proces verbal të raportit që të gjithë ministrat e bashkë me ta edhe kryeministri, kanë dhënë dorëheqje individualisht, duke marrë shembull edhe nga praktika e mëhershme gjyqësore, po ua kujtoj rastin e ish-kryetarit të Rahovecit, Qazim Qeska”, ka thënë ai, pas mbarimit të mbledhjes së komisionit për mandatetet e deputetëve.

“Dorëheqja është evidentuar, saktësisht, individualisht në proces verbalin e takimit”, ka deklaruar Krasniqi. Ai ka thënë se janë në gjendje gatishmërie për zgjedhje të reja. “Ne jemi gatshëm për zgjedhje. Kam propozuar datën, 15 qershori për mua ende vazhdon me qenë i përshtatshëm, bën edhe me 22”, ka thënë kreu i PDK-së.

Haradinaj: PDK, LDK dhe AAK e voton raportin

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se ka dakordim të ish partive opozitare për të votuar raportin dhe me kalua në etapën e dhënies së besimit dhe me kalua te kryetari.

“Personalisht nëse do të ishin kandidatët për kryetar nga LVV-ja, Saranda Bogujevci ose Shqipe Selimi, i votoj. Edhe Aleanca i voton”, ka thënë Haradinaj nga AAK.

Nis puna për përpilimin e raportit të ri për verifikimin e mandateve

Deputetët e Kuvendit votuan me 120 vota pro që të fillon përpilimi i raportit të ri për verifikimin e mandateve nga Komisioni i njëjtë.

“Deputetët të gjithë janë për komisionin e njëjtë”, ka deklaruar kryesuesi seancës, Avni Dehari, i cili është deputeti më i vjetri në moshë.

Përfaqësuesit e partive në Komision janë mbledhur në një sallë të Kuvendit dhe për 30 minuta do të përpilojnë raportin.

Ky është vazhdimi i tretë i seancës konstituive, e cila dy herë radhazi dështoi të finalizohet pasi raporti i Komisionit për Verifikim mandatesh herën e parë s’ka marrë vota mjaftueshëm dhe herën e dytë s’është hedhur fare në votim.

Seanca konstituive u mbajt më 15 prill, por nuk përfundoi me sukses për shkak të mospajtimeve lidhur me raportin e Komisionit për Verifikimin e Mandateve.

Në të njëjtën mënyrë dështoi edhe vazhdimi i dytë i seancës, i mbajtur më 17 prill, duke i shtyrë edhe më tej procedurat e nisjes së punës së Kuvendit të ri.

Kryesues në këto vazhdime të seancës është deputeti i zgjedhur i Vetëvendosjes, Avni Dehari, i cili është më i vjetri, kurse bashkëkryesuese është deputetja e zgjedhur Sala Jashari nga PDK-ja si deputete me re.

ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat