Edicioni i tretë i Festivalit dhe Panairit të Librit për Fëmijë përmbyllet sot në Prishtinë me një ditë plot emocione, kreativitet dhe frymëzim për fëmijët, prindërit dhe të gjithë miqtë e librit.
Sipas organizatorëve, ky edicion ka sjellë për katër ditë me radhë një përvojë të paharrueshme, duke bashkuar artin, dijen, lojën dhe dashurinë për librin në zemër të Prishtinës, në sheshin “Zahir Pajaziti”, nga ora 10:00 deri në 18:00.
Po ashtu, njoftohet për programin e ditës së sotme të fundit.
“Nga ora 10:00 – UNICEF Leximi me prindër dhe fëmijë – aktivitete që nxisin dashurinë për librin dhe lidhjen familjare përmes leximit. Nga ora 11:00 deri në ora 13:00 – Hamleys “Dhuro një art, fito një lodër” – show interaktiv dhe lojëra krijuese me fëmijët. Nga ora 13:00 – Shtëpia botuese “Dukagjini” Ndarja e çmimeve të konkursit “Shkrimi më kreativ” – fëmijët që frymëzojnë përmes fjalës së shkruar. Nga ora 14:00 – Speech Therapy Aktivitet: “Gjuha dhe zhvillimi social” – punëtori edukative mbi komunikimin dhe ndërveprimin”, thuhet në njoftim.