Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se ka paditur ministrinë në detyrë të financave, të udhëhequr nga Hekuran Murati.
Përmes një postimi në Facebook, Rama ka akuzuar ministrin se po pengon pagesat për punëtorët dhe shërbimet për qytetarët e Kryeqytetit, duke e quajtur këtë veprim shantazh politik ndaj opozitës.
Ai ka paralajmëruar se çështja do të ndiqet në Prokurori dhe se komuna do t’i përdorë të gjitha mjetet ligjore për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve dhe punëtorëve.
“Hekuran Murati, shihemi në Prokurori. Sinqerisht shpresoj që përgjigja jote ndaj institucioneve të drejtësisë të jetë më e përgjegjshme sesa ajo e kryetarit tënd të partisë, që ka një vit që nuk i përgjigjen thirrjeve zyrtare të prokurorisë. Kjo e tregon mjaft mirë se si e trajtoni ju shtetin dhe qytetarët. Hekuran, punëtorët dhe qytetarët e Kryeqytetit nuk duhet të mbesin pa paga e pa shërbime, vetëm sepse ju keni zgjedhur t’i përdorni për të shantazhuar opozitën. Ne do t’i përdorim të gjitha mjetet ligjore për të mbrojtur të drejtën e tyre”, ka shkruar Rama.



