Sot mbushen plot 18 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Akti më i lartë juridik i vendit u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi zyrtarisht më 15 qershor të po atij viti.
Me rastin e këtij përvjetori jubilar, Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka theksuar se kjo ditë shënon një kthesë historike për shtetndërtimin e Kosovës. Sipas tij, Kushtetuta është dëshmia e pjekurisë sonë politike dhe demokratike.
“Këtë ditë e përkujtojmë si një moment reflektimi mbi rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë, shtetndërtimit dhe konsolidimit demokratik, duke nderuar sakrificën dhe përkushtimin e brezave që e bënë të mundur këtë realitet”, ka shkruar Rama.
Kryetari i Prishtinës shtoi se respektimi i parimeve kushtetuese është rruga e vetme drejt një shoqërie të barabartë dhe progresive, duke bërë thirrje që vlerat e këtij dokumenti të mbrohen me çdo kusht.
Kushtetuta e Kosovës e definon vendin si një shtet laik dhe shoqëri multietnike, ku pushteti buron nga qytetarët dhe ushtrohet në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.



