Instituti Albanologjik i ka quajtur ndërhyrje politike reagimet e Ministrisë së Arsimit për caktimin e Meliza Krasniqit ushtruese e detyrës së drejtorit të Institutit, duke thënë se ky propozim është bërë në mënyrë ligjore dhe se nuk do të pranojnë asnjë ndërhyrje nga MASHTI-i.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit Albanologjik, Adil Olluri duke e quajtur reagimin e MASHTI-it të panevojshëm, tha se komunikimi në mes këtyre dy institucioneve duhet bërë në mënyrë institucionale.
Olluri i ka bërë thirrje MASHTI-it ta rishqyrtojë qëndrimin e vet duke thënë se kjo ministri po tenton të ndërhyjë në Institutin Albanologjik.
Olluri theksoi se mbledhjet e Këshillit Drejtues të Institutit Albanologjik po i bojkotojnë anëtarët e Ministrisë së Arsimit.
Gëzim Aliu, anëtar i Këshillit Drejtues të Institutit Albanologjik, tha se arsyetimi i MASHTI-it se nuk ka pas kuorum për votim të Meliza Krasniqit është i pavërtetë. Sipas tij ndërhyrjet e kësaj ministri karshi Institutit Albanologjik janë politike.
Ndërkaq lidhur atë nëse kundërshtimet e MASHTI-t kanë të bëjë se Meliza Krasniqi është bashkëshorte e kreut të PDK-së, Aliu beson se kjo mund të jetë një ndër shkaqet.
Ish-ushtruesi i detyrës së Institutit Albanologjik, Naim Berisha tha se nga janari dymijenjëzetekatër Instituti Albanologjik po ballafaqohet me telashe për hapjen e konkursit për drejtor. Sipas tij një denoncim në Agjencinë Kundër Korrupsion dhe tendencat e MASHTI-it për të imponuar një draft kanë sjell këtë situatë.
Këshilli Drejtues i Institutit Albanologjik edhe për këtë të premte ka ftuar një takim të radhës. E dje dy herë radhazi ka reaguar MASHTI, duke thënë se vendimi është marrë në mënyrë të njëanshme dhe në kundërshtim me rregulloren e brendshme.



