E PLOTËSUAR / Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale kanë realizuar operacionin e koduar “SYRIGANA”, gjatë të cilit janë arrestuar pesë persona të dyshuar për krime lufte lidhur me vrasjen e gjashtë civilëve shqiptarë në fshatin Syriganë në vitin 1998.
Sipas komunikatës së përbashkët nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale, hetimet lidhen me vrasjen e gjashtë civilëve shqiptarë në fshatin Syriganë në periudhën maj–qershor 1998, gjatë kohës së luftës në Kosovë.
Hetuesit kanë siguruar prova materiale dhe dëshmi relevante, ndërsa pas kallëzimit penal të dorëzuar në Prokurorinë Speciale janë autorizuar veprimet për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarve.
Operacioni i koduar “SYRIGANA” është zhvilluar nga ora 06:00 në gjashtë lokacione, pesë në Skenderaj dhe një në Mitrovica e Veriut, ku janë arrestuar pesë të dyshuar.
Gjatë bastisjeve janë konfiskuar disa armë dhe municione, përfshirë një armë gjysmë-automatike SKS kalibër 7.62×39 mm, një pistoletë Zastava M-57, dy karikatorë me 77 fishekë, një pushkë gjuetie 12 GA, si dhe uniforma të ndryshme ushtarake.
Me vendim të prokurorit special, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë për procedura të mëtejshme ligjore.
Institucionet e sigurisë kanë theksuar përkushtimin për zbardhjen e krimeve të luftës dhe sjelljen e përgjegjësve para drejtësisë.
Arrestohen pesë persona të dyshuar për krime lufte në Skenderaj
Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, hetuesit policorë nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Luftës kanë arrestuar pesë persona të dyshuar për krime lufte.
“Personat e dyshuar janë arrestuar në Komunën e Skenderajt”, thuhet në njoftim.
Nga autoritetet është bërë e ditur se për detaje të tjera publiku do të njoftohet në kohë përmes një komunikate të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policia e Kosovës.



