Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i tha një takimi të rrallë me drejtuesit më të lartë ushtarakë të SHBA-së se duhet të “përgatiten për luftë”.
“Që nga ky moment, misioni i vetëm i Departamentit të sapo-rikthyer të Luftës është ky: Lufta,” tha Hegseth gjatë fjalimit të tij në bazën e Marinsave në Quantico, Virxhinia, duke iu referuar emrit të ri që administrata Trump i ka dhënë Departamentit të Mbrojtjes.
“Të përgatitemi për luftë dhe të përgatitemi për të fituar. Pa mëshirë dhe pa kompromis në këtë drejtim. Jo sepse duam luftë. Askush këtu nuk do luftë. Por sepse e duam paqen.”
Pse është e rëndësishme
Qindra gjeneralë dhe admiralë me gradë një-yll e më lart, së bashku me ndihmës dhe staf të lartë, u thirrën nga e gjithë bota për të marrë pjesë në takimin në Quantico, të martën, për të dëgjuar fjalimet e Hegseth dhe Presidentit Donald Trump.
Ky zhvillim vjen vetëm disa javë pasi Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për të rikthyer emrin “Departamenti i Luftës” — një titull që u përdor për herë të fundit në vitin 1947. Trump tha se kjo markë e re do të dërgojë një mesazh të fortë si për armiqtë ashtu edhe për aleatët e Amerikës.
Çfarë duhet të dini
Gjatë fjalimit të tyre, Trump dhe Hegseth shpallën fundin e “kulturës woke” në ushtri dhe kritikuan politikat e administratave të mëparshme.
Hegseth tha se nuk dëshiron më të shohë “gjeneralë dhe admiralë të shëndoshë” apo ushtarë me mbipeshë në njësi luftarake.
“Është krejtësisht e papranueshme të shohësh gjeneralë dhe admiralë të trashë në korridoret e Pentagonit që udhëheqin komanda në vend e jashtë tij. Është një pamje e keqe,” deklaroi ai.
Që kur mori detyrën, Hegseth e ka bërë përgatitjen fizike një shtyllë të përpjekjeve të tij për të rikthyer “etos-in e luftëtarit” në ushtri.
“Gjithçka fillon me formën fizike dhe pamjen,” tha ai. “Nëse Sekretari i Luftës mund të bëjë ushtrime të rregullta dhe të forta, atëherë mundet çdo pjesëtar i forcave tona të përbashkëta.”
Hegseth shtoi se të gjithë anëtarët e forcave të armatosura do të testohen dy herë në vit për lartësinë dhe peshën, dhe për rolet luftarake do të vlejë vetëm “standardi më i lartë mashkullor”.
Sulm ndaj “woke” dhe ristrukturime të mëdha
Hegseth kritikoi gjithashtu ashpër atë që e quajti kulturë “woke” në ushtri:
“S’ka më muaj identiteti, zyra për diversitet e përfshirje, burra me fustane, as adhurim të ndryshimeve klimatike, as ndarje, shpërqendrim apo iluzione gjinore. Mjaft me këtë marrëzi,” tha ai.
Ai njoftoi edhe riorganizim të plotë të programit për Barazi të Mundësive dhe të zyrës së Inspektorit të Përgjithshëm, duke e akuzuar këtë të fundit për “armatim” të procesit.
“Nuk ka më ankesa të kota, ankesa anonime, akuza të përsëritura, dëmtim të reputacionit apo pritje të pafundme. Racizmi dhe ngacmimi seksual janë të paligjshme që nga viti 1948 – dhe kjo nuk ka ndryshuar,” tha ai.
Po ashtu, ai urdhëroi një shqyrtim të plotë të termave si “lidership toksik”, ngacmim apo bullizëm, duke thënë se këto janë “përdorur si armë”.
“Nëse kjo më bën ‘toksi’ (toksik), atëherë le të jetë kështu,” shtoi Hegseth, duke shtuar se instruktorët ushtarakë mund të “vendosin dorë mbi rekrutët” dhe të përdorin metoda tradicionale motivimi.
Trump: Do shkarkoj në vend çdo gjeneral që s’më pëlqen
Duke folur jashtë Shtëpisë së Bardhë para fjalimit, Trump theksoi se nuk do të tolerojë dështime në udhëheqje:
“Do të takohem me gjeneralë, admiralë dhe drejtues. Nëse dikush nuk më pëlqen, do ta shkarkoj në vend,” tha presidenti.
Në një mesazh të drejtpërdrejtë për oficerët, Hegseth shtoi:
“Nëse nuk jeni dakord me vizionin tim për diversitetin, mandatin e kaluar për vaksinat Covid, apo kritikat ndaj individëve transgjinorë – bëni gjënë e ndershme dhe jepni dorëheqjen.”
Çfarë thonë të tjerët
Trump deklaroi gjithashtu se Departamenti i Luftës duhet të përdorë qytetet e rrezikshme si fusha stërvitjeje për ushtrinë dhe Gardën Kombëtare:
“I thashë Pete-it [Hegseth], duhet t’i përdorim disa nga këto qytete të rrezikshme për stërvitje. Sepse së shpejti do të shkojmë në Çikago – një qytet i madh me një guvernator të paaftë,” tha Trump.
Çfarë pritet më pas
Trump tha se administrata e tij do të angazhojë mbi 1 trilion dollarë për ushtrinë në vitin 2026 dhe se Hegseth do të shpallë së shpejti reforma të mëdha për përshpejtimin e blerjeve ushtarake dhe shitjeve ndërkombëtare të armëve.