Në emisionin “Kjo Javë” në News24, ishte i ftuar studiuesi dhe kritiku Behar Gjoka në lidhje me botimin “Petro Marko, shkrimtar i lirisë”.
Ai ka rrëfyer në bisedë me Nisida Tufën se si ka lindur ideja e një botimi të tillë, puna për të cilën ka zgjatur 8 vite të tëra, gjatë të cilave ka lexuar çdo vepër të Petro Markos si dhe thuajse gjithçka të shkruar për të.
“Në momentin e parë ka qenë ideja e rizbulimit të Petro Markos, dikur kisha lexuar “Hasta la vista” por nuk ishte në programe fare. Kishte një konferencë në 2019 që në fund më ktheu në një lloj makthi dhe detyrimi shpirtëror që të ndalem seriozisht. Kam rilexuar gjithçka të shkruar prej tij, dhe mbi 96% të gjithçkaje që është shkruar për të.
Është një shkrimtar i rëndësishëm i dy periudhave, asaj bashkëkohore dhe viteve 1930, madje shihet si urë lidhjeje mes këtyre dy periudhave”, tha ai.
Zoti Gjoka vlerësoi se kanë qenë pikërisht veprat e Petro Markos, veçanërisht botimi “Qyteti i fundit”, që hodhën themelin për romanin modern shqiptar.
“Është një shkrimtar i madh, pas Migjenit sipas meje. Veprat e tij përgatiten dhe hodhën themelet e modernitetit. Pa ndihmesën, dhe sidomos romanin “Qyteti i fundit” romani shqiptar do ta kishte të vështirë të hynte në modernitet.
Unë ftoj të zbulohet Petro Marku. Nuk dua të jetë mendimi im që na çon atje. Nëse do të lexonim poezitë e tij do të ishim më të bukur, më humanë, më njerëzorë. Tejkaloi kufijtë ndarës krahinorë dhe fetarë. Personazhet e tij nuk janë thjeshtë shqiptarë. Petro Mako njihet si shkrimtar i realizmit socialist, por nuk është vetëm kaq”, tha ai.