Ish-kryeministri, njëherësh deputet i LDK-së, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se ndërmarrja Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, ka punësuar pjesëtar të strukturave paralele serbe pa hapur fare konkurs.
Këta persona sipas tij, kanë kontrolluar stacionin e transmisionit Vallac në veri të Kosovës në mënyrë joligjore.
“Nga muaji maj 2024, Bordi nuk ka kryesues. Nga ajo kohë, Bordi nuk ka mbajtur asnjëherë mbledhje formale sipas rregullores. Por vendime janë marrë në vazhdimësi nga ana e anëtarëve të tjerë të Bordit. Unë nuk e di si ka mundësi të merren vendime jashtë mbledhjes formale të Bordit. KOSTT, pa asnjë procedurë ligjore, ka nënshkruar kontrata pune të rregullta me disa individë, të cilët e kanë kontrolluar stacionin e transmisionit Vallac në veri të Kosovës në mënyrë joligjore. Ata kanë qenë pjesëtarë të strukturave paralele. Ata tani janë bërë punëtorë të KOSTT-it pa asnjë procedurë konkursi. Shkeljet e gjetura në KOSTT nga Zyra e Auditorit të Jashtëm janë shqetësuese, sidomos ato që lidhen me procedurat e prokurimit. Asnjë masë nuk është marrë nga menaxhmenti. Paga më e lartë në KOSTT pas kryeshefit ekzekutiv vazhdon të jetë 2,800 euro. Paga mesatare e punëtorëve është rreth 1,000 euro”, ka shkruar Hoti.



