Derisa në Kosovë Policia kritikohet për tejkalim force, në Britani 70 policë nderohen për trimëri
Derisa Policia e Kosovës përballet me kritika të ashpra për sjellje të dhunshme dhe përdorim të tepruar të forcës – siç është rasti i fundit në Lipjan, ku gjashtë policë ndërhynë ndaj një të dyshuari të paarmatosur që më pas humbi jetën – në Britaninë e Madhe po nderohen dhjetëra zyrtarë për guxim dhe përkushtim në mbrojtje të jetës njerëzore.
Në Londër, 70 oficerë nga Anglia dhe Uellsi janë nominuar për Çmimet Kombëtare të Trimërisë, të organizuara nga Federata e Policisë. Mes tyre, tre policë që përballuan një masakër në një shkollë vallëzimi në Southport, duke neutralizuar një adoleshent të armatosur me thikë që vrau tre fëmijë dhe plagosi shumë të tjerë. Ata hynë pa hezitim në ndërtesë dhe e detyruan dorasin të dorëzohej, përmes vendosmërisë dhe profesionalizmit.
Në një rast tjetër, dy sergentë në Sussex notuan natën në det për të shpëtuar një vajzë që po mbytej, ndërsa në Wiltshire, një oficere u përball e vetme me një burrë të armatosur në mes të rrugës, duke e neutralizuar pa shkaktuar humbje jete.
Ndërkohë në Kosovë, pikërisht mungesa e përmbajtjes, e vlerësimit të rrezikut dhe e maturisë operacionale, ka bërë që Policia të vihet në qendër të debatit publik – jo për heroizëm, por për vdekje të dyshimta gjatë ndërhyrjeve. Rasti i Lipjanit është cilësuar si një nga më të rrallët dhe ndoshta edhe i paprecedent, ku ndërhyrja e gjashtë policëve rezultoi fatale për një qytetar.



