Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, ka bërë të ditur se Prokuroria ka nisur veprime konkrete pas evidentimit të parregullsive serioze gjatë rinumërimit të votave në këtë rajon.
Kryeziu ka deklaruar për TV Dukagjini se Prokuroria e Shtetit ka monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit dhe, teksa ai po i afrohet përfundimit, janë konstatuar “keqpërdorime të dukshme” të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike në rajonin e Prizrenit.
Sipas tij, me vetiniciativë, ka lëshuar autorizim me shkrim për Policinë e Kosovës që të nisë hetimet, të identifikojë personat përgjegjës dhe të sigurojë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet.
“Çdo person që ka vendosur nënshkrimin e tij duke falsifikuar rezultatet zgjedhore dhe duke ndryshuar vullnetin e qytetarit, nuk duhet të qëndroj i qetë, do të mbajë përgjegjësi të plotë penale”, ka theksuar Kryeziu.
Ai ka shtuar se manipulimi i votës dhe falsifikimi i dokumenteve zgjedhore përbëjnë vepra penale dhe se rastet e tilla do të trajtohen pa kompromis nga organet e drejtësisë.



