Policia e Kosovës ka dhënë detaje rreth plagosjes së dy personave që ndodhi ditën e premte në qytetin e Pejës.
Në raportin e policisë thuhet se i dyshuari kishte shtënë me armë automatike në drejtim të veturës ku kishin qenë katër persona, e si pasojë e të shtënave, dy prej tyre janë plagosur.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se me armë automatike kishte shtënë në drejtim të veturës me targa vendore në të cilën kanë qenë katër persona meshkuj kosovarë. Si pasojë e të shtënave janë plagosur dy persona në veturë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante policore dhe janë duke e hetuar rastin”, bëhet e ditur në njoftim.
Nga i dyshuari janë konfiskuar katër armë zjarri si: dy pushkë automatike AK-47 me nga 18 dhe 15 copë fishekë, dy pistoleta njëra me 5 copë fishek dhe 75 copë fishekë tjerë të armës automatike.
I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.