Policia e Kosovës, për nder të vizitës zyrtare të presidentit të Këshillit të Evropës, Antonio Luis Santos da Costa, do të ndërmarrë masa të shtuara sigurie dhe do të bëjë bllokime të përkohshme të disa segmenteve rrugore në kryeqytet dhe përreth, më 14 dhe 15 maj 2025.
Bllokimet e rrugëve do të ndodhin në intervale të shkurtra kohore, sipas itinerarit të lëvizjes së delegacionit, dhe do të shoqërohen me riorientim të trafikut në rrugë alternative, për të mundësuar zhvillimin pa pengesa të takimeve dhe aktiviteteve të nivelit të lartë.
“Për të mundësuar qarkullim të lirë sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve apo takimeve të personaliteteve të larta sipas agjendës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore, ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative”, thuhet në njoftimin e Policisë, teksa kërkon mirëkuptim dhe bashkëpunim nga qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik.
Vizita e presidentit Costa në Kosovë vjen në një moment të rëndësishëm për vendin në raport me organizatat evropiane, dhe pritet të shoqërohet me takime të nivelit të lartë me përfaqësuesit institucionalë të Kosovës.
Fillimisht, nga ora 16:30, Costa do të takohet me presidenten Vjosa Osmani, ku më pas do të mbajnë edhe një konferencë të përbashkët për media. Ndërsa nga ora 18:40, ai do të zhvillojë takim edhe me kryeministrin në detyrë Albin Kurti.



