Nga data 12 deri më 18 maj, Kosova i bashkohet vendeve të tjera të botës në shënimin e Javës Globale të Sigurisë Rrugore, me temën e sivjetme “Të bëjmë ecjen dhe çiklizmin të sigurt”.
Policia e Kosovës ka njoftuar se do të intensifikojë përpjekjet për të garantuar siguri më të madhe në trafik, me theks të veçantë tek mbrojtja e këmbësorëve dhe çiklistëve – kategoritë më të ndjeshme të pjesëmarrësve në komunikacion.
“Jemi të përkushtuar për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët, veçanërisht për ata që ecin apo përdorin biçikletat si mjet transporti,” thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës në rrjetet sociale.
Gjatë kësaj jave, pritet që në të gjithë vendin të zhvillohen aktivitete ndërgjegjësuese dhe kontrolle të shtuara në rrugë, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe promovimin e një kulture më të sigurt rrugore.





