Policia e Kosovës ka shtuar kontrollet në rrugët e kryeqytetit ndaj drejtuesve të motoçikletave dhe skuterëve që qarkullojnë pa dokumentacion të rregullt.
Njësiti Rajonal i Trafikut në Prishtinë ka vendosur pika të shumta kontrolli në rrugë të ndryshme, me qëllim rritjen e sigurisë në komunikacion dhe parandalimin e shkeljeve.
Gjatë ndalimit të një drejtuesi motoçiklete, ku ekipi i RTK-së ishte i pranishëm, policia ka konstatuar se ai nuk posedonte leje për ngasjen e këtij mjeti.
Rasti i është shtuar numrit të madh të kundërvajtësve që hasen çdo ditë në trafik gjatë kontrolleve të policisë.
Zyrtarët policorë thonë se mbetet shqetësues numri i drejtuesve që qarkullojnë pa patentë shoferi, pa regjistrim të mjetit apo pa pajisje mbrojtëse.
Sipas tyre, këto shkelje rrezikojnë jo vetëm jetën e drejtuesve të motoçikletave dhe skuterëve, por edhe sigurinë e pjesëmarrësve të tjerë në trafik.
Sipas Policisë së Kosovës, vetëm gjatë tre muajve të fundit janë konfiskuar rreth 50 motoçikleta dhe skuterë për shkak të mungesës së dokumentacionit dhe shkeljeve të tjera ligjore.
Policia apelon te të gjithë drejtuesit e motoçikletave dhe skuterëve që ta respektojnë ligjin dhe të mos dalin në komunikacion pa dokumentet e nevojshme.
Policia njofton se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim rritjen e sigurisë në trafik dhe parandalimin e aksidenteve rrugore.



