Policia e Kosovës ka njoftuar se po vazhdon me zbatimin e masave për identifikimin dhe sanksionimin e kundërvajtjeve në komunikacion përmes teknologjisë së avancuar.
Gjobat për kundërvajtjet e evidentuara nga kamerat dhe radarët automatikë po dërgohen në mënyrë të rregullt në adresat e pronarëve të automjeteve, përmes Postës së Kosovës.
Ky veprim është pjesë e përpjekjeve për të përmirësuar sigurinë rrugore dhe për të rritur efikasitetin në trajtimin e shkeljeve të rregullave të trafikut. Sipas Policisë, ky proces po zbatohet me seriozitet të plotë dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Autoritetet policore i bëjnë thirrje qytetarëve që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të kontribuojnë në parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.
“Siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët”, përfundon njoftimi i Policisë së Kosovës.