Një shumë e madhe parash të padeklaruara është zbuluar mbrëmjen e së enjtes në pikën kufitare të Merdarës, gjatë një kontrolli të detajuar nga ana e zyrtarëve policorë dhe doganorë.
Rreth orës 21:30, më 03.07.2025, zyrtarët kufitarë kishin përzgjedhur për kontroll të dytë një automjet me targa të Serbisë, në të cilin ndodheshin dy shtetas serbë – njëri në rolin e drejtuesit dhe tjetri si pasagjer. Dyshimet janë ngritur fillimisht kur pasagjeri deklaroi se kishte me vete 18,000 euro.
Pas kësaj deklarate, është realizuar një kontroll i imtësishëm nga ana e policisë kufitare në bashkëpunim me doganierët. Gjatë kontrollit janë zbuluar para të fshehura në disa vende brenda automjetit dhe mbi trupin e njërit nga personat. Më konkretisht, paratë janë gjetur në:
Trupin e drejtuesit të automjetit
Një çantë të vendosur në ulësen e pasme
Nën ulësen e pasagjerit
Në kulmin e automjetit (panoramën lëvizëse)
Shuma totale e gjetur ishte 119,180 euro, të gjitha në kartëmonedha prej 10, 20, 50, 100 dhe 200 euro. Asnjëra prej tyre nuk ishte deklaruar gjatë kalimit kufitar, gjë që përbën shkelje të ligjeve për qarkullimin ndërkufitar të mjeteve monetare.
Të gjitha paratë e padeklaruara janë sekuestruar përkohësisht dhe janë dorëzuar tek zyrtarët doganorë për trajtim të mëtejmë ligjor dhe procedura administrative. Autoritetet kanë konfirmuar se hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim.



