Policia e Kosovës ka dhënë detaje për aksidentin që ka ndodhur sot në fshatin Treboviq të Pejës, ku ka mbetur i vdekur vëllai i artistit Gjesti, Eldion Kelmendi.
Sipas noftimit të Policisë aksidenti ka ndodhur rreth orës 14:05, teksa thuhet se shoferi i motoçikletës ka humbur kontrollin ndaj mjetit dhe ka kaluar në korsinë tjetër, duke goditur një veturë.
“Deri te aksidenti dyshohet se ka ardhur, derisa drejtuesi i motoçikletës pasi humb kontrollin në një kthesë (i dyshuar) gjatë përballkalimit, kalon në shiritin e kundërt të rrugës me ç’rast e godet veturën e cila ishte duke lëvizur në drejtim të kundërt”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Si pasojë e këtij aksidenti, një person ka vdekur në vendin e ngjarjes, vdekjen e së cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor, ndërsa personi i lënduar është dërguar më autoambulancë në Spitalin Rajonal në Pejë, ku është duke u trajtuar.
Ndërsa, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Pos të ndjerit, i lënduar ka mbetur edhe një person tjetër i cili është duke u trajtuar në Spitalin Rajonal të Pejës.
Mësohet se i lënduari i është nënshtruar një operacioni dhe tashmë është në Kujdesin Intensiv.