Policia e Kosovës njofton se më datën 28.04.2026, gjatë realizimit të kontrolleve rutinë në Pikën e Kalimit Kufitar Bërnjak, në hyrje të territorit të Republikës së Kosovës, është zbuluar një rast i dyshimit për falsifikim të parasë.
Gjatë kontrollit të detajuar në vijën e dytë të një automjeti me targa të Serbisë, zyrtarët policorë kanë hasur në katër (4) kartëmonedha me vlerë 200 euro secila. Pas ekzaminimeve fillestare të kryera në vendngjarje me pajisje të specializuara për verifikimin e valutës, është ngritur dyshimi se kartëmonedhat mund të jenë të falsifikuara.
Në përputhje me procedurat ligjore dhe me autorizim të prokurorit kompetent, personi i dyshuar, shtetas i Serbisë, është intervistuar nga organet përkatëse, ndërsa kartëmonedhat e sekuestruara janë konfiskuar si prova materiale.
Lënda dhe provat janë dorëzuar te Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike në Mitrovicë Veri, e cila do të vazhdojë me procedurat e mëtejshme hetimore, në përputhje me kompetencat ligjore.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e veprave penale që lidhen me falsifikimin e parasë dhe garantimin e sigurisë financiare në vend.



