Proda, “kandidat për Drejtor të Policisë së Shtetit me 19 vite përvojë”
Storm/Shqipëria: Ilir Proda, me një karrierë prej pothuajse 19 vitesh në uniformat e Policisë së Shtetit, është propozuar të marrë drejtimin e Policisë së Shtetit. Së fundmi, ai mbante postin e Drejtorit të Policisë në Elbasan, një pozicion që e ka mbajtur që nga marsi i vitit të kaluar.
Proda filloi karrierën e tij në Policinë e Shtetit në vitin 2005, fillimisht si specialist i policisë kriminale në komisariatin nr. 3. Gjatë karrierës së tij, ai ka shërbyer si specialist në komisariate të ndryshme dhe në Drejtorinë e Përgjithshme. Në vitin 2013, ai u emërua shef komisariati, duke mbajtur detyrën për rreth një vit, dhe më pas vijoi deri në vitin 2016 si shef i komisariatit të Bulqizës.
Në korrik të vitit 2019, pas marrjes së gradës kryekomisar, Proda u emërua zëvendësdrejtor për hetimin e krimeve në Korçë. Në vitin 2021, ai kaloi në të njëjtin rol në policinë e Elbasanit. Në mars të vitit 2023, pas marrjes së gradës drejtues, ai u emërua Drejtor i Policisë së Elbasanit.
Proda zotëron diplomë avokati dhe master shkencor për të drejtë penale, dhe ka marrë pjesë në kurse e seminare të ndryshme ku është certifikuar për njohuritë e tij. Propozimi i tij për kreun e Policisë së Shtetit vjen si një lëvizje që synon forcimin e strukturave të rendit.