Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, ka lëshuar sot në qarkullim një emision të ri të pullave postare me titull “Distria Krasniqi”, në nderim të njërës prej sportisteve më të mëdha që ka njohur vendi.
Ky emision i veçantë filatelik i kushtohet kampiones botërore dhe olimpike në xhudo, Distria Krasniqi, e cila këtë vit është shpallur xhudistja më e mirë në botë për vitin 2025, në të gjitha kategoritë.
“E lindur më 10 dhjetor 1995, Distria ka nisur rrugëtimin e saj sportiv në moshë të re, duke sjellë suksese të jashtëzakonshme për Kosovën në skenën ndërkombëtare. Ajo u bë kampione bote për U21 në vitin 2015 dhe ka shkëlqyer në turne prestigjiozë si “Grand Slam” në Paris dhe “European Open” në Sofje”, njofton Posta e Kosovës.
Në vitin 2021, ajo rrëmbeu medaljen e artë në “World Judo Masters” në Doha, ndërsa së fundi, në Kampionatin Botëror të Xhudos “Budapest 2025”, fitoi medaljen e argjendtë, duke konfirmuar edhe një herë statusin e saj si ikonë e sportit kosovar.
Përmes këtij emisioni filatelik, Posta e Kosovës nderon historinë e suksesit dhe frymëzimit të Distria Krasniqit, duke e shndërruar imazhin e saj në një simbol që do të udhëtojë përtej kufijve si ambasadore e vlerave kombëtare.
“Pamjet dhe informacionet për pullën janë realizuar në bashkëpunim me Federatën e Xhudos së Kosovës. Emisioni përmban një pullë postare dhe Zarfin e Ditës së Parë, dhe do të qëndrojë në qarkullim postar deri në konsumimin e plotë”, thuhet në fund të njoftimi nga Posta e Kosovës.



