Presidenca e Kosovës është deklaruar rreth takimit që presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar me ministren e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali.
Gjatë takimi, siç bën të ditur presidenca, Osmani theksoi se marrëdhëniet Kosovë–Shqipëri janë vëllazërore dhe njëkohësisht strategjike, të natyrshme e të pazëvendësueshme.
“Presidentja Osmani dhe ministrja Spiropali, ndër të tjera diskutuan edhe për pjesëmarrjen e Kosovës dhe Shqipërisë si anëtare themeluese të Bordit të Paqes, duke vlerësuar se kjo platformë i afron të dy vendet edhe më shumë me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët strategjikë globalë, si dhe rrit profilin e tyre ndërkombëtar dhe rolin si kontribuuese në paqe e siguri globale’’, thuhet mes tjerash në njoftim.
Komunikata e plotë:
Presidentja Osmani priti në takim ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipëri, Elisa Spiropali.
Duke falënderuar Shqipërinë për mbështetjen e vazhdueshme, Presidentja Osmani theksoi se marrëdhëniet Kosovë–Shqipëri janë vëllazërore dhe njëkohësisht strategjike, të natyrshme e të pazëvendësueshme, duke nënvizuar rëndësinë e koordinimit të rregullt politik dhe diplomatik në të gjitha nivelet.
Presidentja Osmani dhe ministrja Spiropali, ndër të tjera diskutuan edhe për pjesëmarrjen e Kosovës dhe Shqipërisë si anëtare themeluese të Bordit të Paqes, duke vlerësuar se kjo platformë i afron të dy vendet edhe më shumë me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët strategjikë globalë, si dhe rrit profilin e tyre ndërkombëtar dhe rolin si kontribuuese në paqe e siguri globale.
Sa i përket bashkëpunimit në politikën e jashtme, Presidentja Osmani diskutoi për koordinim të vazhdueshëm diplomatik për njohjet e reja, mbështetjen në organizata ndërkombëtare si NATO, Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera, si dhe për fusha të tjera të interesit të dyanshëm.
Presidentja Osmani rikonfirmoi se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë mbetet thelbësor për avancimin e interesave të përbashkëta strategjike dhe për forcimin e rolit të dy vendeve në paqe, siguri dhe stabilitet rajonal e global.



