Presidenti rumun Klaus Iohannis dha dorëheqjen të hënën veprim që ai tha se ishte për të parandaluar hyrjen e vendit në një krizë pasi parlamenti pritej të votonte për shkarkimin e tij.
“Për të shpëtuar Rumaninë dhe qytetarët e saj nga kjo krizë, po jap dorëheqjen nga posti i Presidentit të Rumanisë. Do të largohem nga detyra pasnesër, më 12 shkurt”, tha Iohannis në një deklaratë të hënën.
Në detyrë që nga viti 2014, Iohannis ka shërbyer tashmë maksimumi dy mandate pesëvjeçare. Megjithatë, presidenca e tij u zgjat pasi Gjykata Kushtetuese në dhjetor anuloi rezultatet e garës presidenciale në të cilën ultranacionalisti kontrovers Calin Georgescu fitoi papritur rundin e parë.
Fitorja e Georgescu u dëmtua nga akuzat për ndërhyrje ruse dhe shkeljet elektorale pasi doli se një rrjet online kishte mbështetur artificialisht shtrirjen e tij në mediat sociale në prag të votimit.
Parlamenti i vendit pritej të diskutonte dhe votonte një kërkesë të tretë për të pezulluar Iohannis nga detyra të martën. Dy kërkesa të mëparshme, të paraqitura nga partitë opozitare, u refuzuan për arsye procedurale.
Këtë herë, një grup partish ultranacionaliste – Partia e të Rinjve (POT), Aleanca për Bashkimin e Rumunëve (AUR) dhe SOS, të cilave u bashkuan deputetë të Unionit Save Romania (USR) – arritën të mblidhnin mjaft firma për të paraqitur mocionin.
Shefi i Senatit do të bëhet president i përkohshëm i Rumanisë pas dorëheqjes së Joanis.



