Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas përhapjes së zjarreve në disa komuna të vendit, duke theksuar se situata është serioze dhe kërkon një reagim të koordinuar nga të gjitha nivelet institucionale.
Ajo ka shprehur solidaritetin e plotë me qytetarët e prekur, në veçanti me fermerët që po humbin pasuritë e tyre dhe ekipet emergjente që janë në vijën e parë të përballjes me flakët.
“Mirënjohje të thellë për zjarrfikësit tanë, për punonjësit e emergjencës dhe për të gjithë vullnetarët që me guxim dhe përkushtim po përballen me situatën,” – ka shkruar Osmani.
Presidentja theksoi se FSK-ja është në gjendje gatishmërie të plotë, e gatshme të ndërhyjë në çdo moment që kërkohet ndihmë nga autoritetet lokale ose qendrore.
Ajo u bëri thirrje të gjithë qytetarëve për kujdes të shtuar, duke kërkuar të shmangen veprimet që mund të nxisin zjarr dhe të raportohen çdo vatër e dyshimtë tek autoritetet përkatëse.
“Vetëm me përgjegjësi kolektive mund ta parandalojmë përhapjen e mëtejshme të zjarreve,” përfundon Osmani, duke theksuar se bashkëpunimi i secilit është thelbësor në përballimin e kësaj situate alarmante.