Ditëve të fundit janë regjistruar disa raste ku investimet e komunës së Prishtinës janë dëmtuar.
“Kryeqyteti po investon vazhdimisht në krijimin e hapësirave të sigurta dhe cilësore për fëmijët tanë, përfshirë këndet e lodrave nëpër lagje. Fatkeqësisht, kohëve të fundit jemi përballur me raste të dëmtimit të qëllimshëm të pronës publike, si ai i ndodhur në një kënd lodrash sot, i cili është raportuar në Polici”, thuhet në reagim.
Komuna thekson se aktet e tilla janë të papranueshme.
“Aktet e vandalizmit ndaj hapësirave të përbashkëta janë të papranueshme.Ftojmë secilin qytetar që të kontribuojë në ruajtjen e këtyre ambienteve dhe të raportojë çdo rast të tillë te organet kompetente”, thuhet në reagim.
Kujtojmë se pak ditë më parë Storm ka publikuar videon ku shihen nxënësit duke i dëmtuar lodrat në një kënd për fëmijë në lagjen Lakrishtë të Prishtinës, investim i komunës, por që aty nuk po ka vend për fëmijët.



 
                                    