Rikthehet pagesa e parkimit në Prishtinë, gjobiten shkelësit nga nesër
Pas vendimit të Gjykatës Supreme, nga nesër hyn sërish në fuqi Rregullorja për Rregullimin e Parkingjeve në kryeqytet.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, dhe është rishpërndarë nga ndërmarrja publike “Prishtina Parking”.
Sipas njoftimit, shfrytëzimi i parkingjeve publike të menaxhuara nga kjo ndërmarrje do të bëhet me pagesë, sipas tarifave zyrtare.
Çdo parkim pa pagesë do të sanksionohet me gjoba dhe masa ndëshkuese, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Në komunikatë theksohet se menaxhimi i hapësirave publike synon përdorimin e barabartë nga të gjithë qytetarët.