PËRMBLEDHJE / Me fjalën e mbrojtësit të viktimave, Simon Laws, është përmbyllur dita e dytë e deklaratave përmbyllëse në Gjykatën Speciale në Hagë, në rastin ndaj ish-eprorëve të UÇK-së të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Gjatë ditës, Prokuroria e Specializuar përfundoi fjalën e saj përmbyllëse, duke pretenduar se Hashim Thaçi kishte mashtruar ndërkombëtarët dhe duke shtuar se deklaratat e mbrojtjes lidhur me UÇK-në dhe ish-udhëheqësit e saj duhet të vlerësohen me rezervë.
Pas Prokurorisë, fjalën përmbyllëse e mbajti përfaqësuesi i viktimave, i cili kërkoi që në vendimin e trupit gjykues të dëgjohet zëri i viktimave pjesëmarrëse.
Neser në mëngjes në orën nëntë pritet të nisë fjala përmbyllëse e mbrojtjes së Thaçit.
Laws: Krimet e disa anëtarëve nuk e bëjnë UÇK-në organizatë kriminale
Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, deklaroi para Gjykatës Speciale në Hagë se anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë kryer krime, por kjo nuk e bën UÇK-në organizatë kriminale.
Në fjalën e tij përmbyllëse, Laws tha se ka pasur përpjekje për të fshehur krimet e pretenduara dhe se ekzistojnë dy të vërteta: lufta çlirimtare e UÇK-së dhe krimet e kryera nga disa anëtarë të saj.
“UÇK-ja ka luftuar një luftë çlirimtare dhe shumica e luftëtarëve të saj e kanë bërë këtë. Por, është e vërtetë gjithashtu se disa anëtarë të saj kanë kryer krime,” tha ai.
Ai theksoi se viktimat janë keqtrajtuar dhe se disa prej tyre vazhdojnë të vuajnë pasoja psikologjike edhe sot.
Në vazhdimin e seancës, mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, tha se familjarët e viktimave kanë jetuar në pasiguri, pasi disa prej tyre nuk kishin informacion nëse të afërmit e tyre ishin gjallë apo jo.
“Mungesa e informacionit u jepte atyre shpresë,” tha ai.
Duke cituar disa dëshmitarë, Laws tregoi për përjetimet e familjarëve. Ai përmendi dëshminë e një gruaje që humbi bashkëshortin dhe për 25 vjet nuk kishte pasur asnjë provë për vdekjen e tij. “Kjo ka qenë një torturë e vërtetë,” kishte dëshmuar ajo.
Laws foli gjithashtu për vrasjet që pretendohet të jenë kryer nga UÇK-ja, duke thënë se “këto janë vrasje që janë injoruar, mbuluar dhe fshehur. Sigurisht, UÇK-ja ka pasur detyrë të ndërmerrte hapa për hetimin dhe ndjekjen penale të tyre.”
Ai shtoi se disa viktima kanë heshtur për humbjen e të afërmve nga frika se e njëjta gjë mund t’u ndodhte atyre.
Laws: Është e rëndësishme që zëri i viktimave të merret parasysh
Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, tutje tha se në vendimin e trupit gjykues për katërshen e UÇK-së, është e rëndësishme që zëri i viktimave të merret parasysh.
“Kjo aktakuzë nuk është thjesht një përshkrim ligjor i akteve kriminale. Ajo lidhet me vende dhe kohë kur njerëzit kanë pësuar dëme të mëdha, që kanë ndryshuar jetët e tyre dhe të familjeve të tyre. Duke njohur këtë dëm, trupi gjykues mund të sigurohet që vuajtja e viktimave nuk mbetet e anashkaluar. Ne presim që viktimat të kenë zërin e tyre dhe që ky zë të dëgjohet,” tha ai.
Sipas Laws, viktimat shpesh e kanë pyetur veten: “Pse më ndodhi kjo mua?”, duke ngritur edhe pyetje të tjera mbi mënyrën se si njerëzit u ndaluan dhe u keqtrajtuan. “Pse duhej të përfundonin në varre të pashënuara,” theksoi ai.
Laws shtoi se ajo që presim që të ndodhë është që viktima të kenë zërin e tyre dhe që zëri i tyre të jetë dëgjuar.
Kryeprokurorja West në fjalën përfundimtare: U pranuan mbi 5 mijë prova
Kryeprokurorja Kimberly West sot e përfundoi deklarimin në emër të Prokurorisë.
West i tha trupit gjykues se Prokuroria ka pranuar mbi 5.000 prova materiale dhe janë paraqitur mbi 28.000 faqe transkripti dhe se për këtë rast Prokuroria ka intervistuar mbi 130 dëshmitarë.
“Kanë kaluar shumë vite tashmë dhe ata të cilët kanë humbur pjesëtarë të familjes kanë menduar se nuk do të ketë drejtësi, por shteti i së drejtës nënkupton se askush nuk është mbi të drejtën dhe ligjin. Kjo do të thotë se edhe njerëzit më të fuqishëm do të duhet të japin llogari. Ne kërkojmë, mbi bazën e provave të paraqitura, që të akuzuarit të japin llogari dhe të jepet dënimi i duhur”, ka thënë West para trupit gjykues.
Sot, ekipin e viktimave përfaqëson avokati Simon Laws, i cili theksoi se krimet e kryera kanë lënë plagë të rënda dhe të shëmtuara.
“Në Kosovë, në Serbi, në diasporë dhe në mbarë botën ka njerëz që vazhdojnë të zgjojnë me dhimbje në trup dhe me keqardhje për humbjen e të dashurve të tyre. Ata janë viktima të krimeve të kryera nga ish-anëtarë të UÇK-së gjatë viteve 1998-1999. 155 prej tyre janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në këtë çështje, përfshirë shqiptarë, serbë dhe romë, dhe unë dua t’i përqendroj në emrin të tyre,” tha ai.
Laws shtoi se ishte e pashmangshme që lufta e UÇK-së për pavarësi të shkaktonte humbje jete. “Kjo është pasojë e konfliktit dhe asgjë që them unë nuk përbën gjykim mbi të drejtat apo të padrejtat e luftës, dhe nuk është zhvlerësim për UÇK-në në përgjithësi. Shumë prej viktimave e kanë përkrahur UÇK-në, disa prej tyre kanë qenë edhe anëtarë të saj. Këtu nuk bëhet fjalë për të denigruar institucionin, por për sjelljen e disa prej anëtarëve dhe pasojat në jetët e atyre që unë përfaqësoj,” përfundoi ai.
Prokuroria: Roli i Krasniqit në UÇK nuk ishte vetëm i një zëdhënësi
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, po vazhdon dhënia e fjalës përfundimtare nga Prokuroria në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Seanca ka rinisur për të përmbyllur deklaratat e Prokurorisë, me fokus te Jakup Krasniqi, ku tha se roli i Jakup Krasniqit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nuk ishte vetëm i një zëdhënësi por ka bërë më shumë.
“Ajo që ka bërë është më shumë sesa i përket një zëdhënësi që tregon rolin e tij në kuadër të NPK-së dhe rolin e tij”, tha Halling.
Prokuroria pretendon se nuk ekziston asnjë argument konteksti që mund ta shpëtojë Jakup Krasniqin, kur ai thotë se “ata që i kemi rrëmbyer janë lajmëruar përmes listës apo janë raportuar si të ekzekutuar”.
Sipas Prokurorisë, nuk ka asnjë paqartësi mbi paralajmërimin publik për bashkëpunëtorët që do të vriteshin nëse do të vazhdonin të vepronin kundër rregullave të UÇK-së.
Ajo thekson se Krasniqi ka pasur një shënim të shkruar dore nga UÇK-ja në shtëpinë e tij, ku thuhet se “duhet të respektojmë hierarkinë me fanatizëm”. Prokuroria shton se disa dorëshkrime të tjera tregojnë se asgjë nuk duhej nënshkruar pa miratimin e Shtabit të Përgjithshëm, duke nënvizuar: “Këto nuk janë deklarata të kota”.
ZPS: Ndërkombëtarët nuk kuptuan aftësinë e Thaçit për të fshehur realitetin
Zyra e Prokurorit të Specializuar, përfaqësuar nga prokurori Matt Halling, deklaroi se ndërkombëtarët, përfshirë James Rubin dhe Wesley Clark, nuk e kuptonin që Hashim Thaçi ishte i aftë të maskonte atë që po ndodhte në realitet.
Sipas ZPS-së, kjo ka ndikuar në perceptimin e tyre mbi funksionimin real të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)“.
“Ajo që Rubin, Clark dhe disa ndërkombëtarë të tjerë nuk e kuptonin, ishte se Thaçi dinte të fshihte të vërtetën, gjë që ndikoi në mënyrën se si ata perceptonin UÇK-në dhe aktivitetet e saj,” tha Halling.
Ai shtoi se këta ndërkombëtarë nuk kishin interes të thelloheshin në realitetin e ngjarjeve: “Veçanërisht Rubin dhe Clark nuk treguan ndonjë interes për të kuptuar çfarë po ndodhte në të vërtetë dhe besonin se veprimet e tyre ishin ‘në anën e duhur të historisë’, pa u përballur me informacionin që po prezantohej përpara këtij trupi gjykues.”
Pas e përfundoi fjalën për Thaçin Prokuroria vazhdoi me rastin e Kadri Veselit, ku edhe për Veselin, prokuroria kërkon që duhet pasur shumë kujdes me atë çfarë kanë thënë ekipet mbrojtëse.
Halling tha se Kadri Veseli mund të shihet i përfshirë në krimet e ngritura në aktakuzë. Ai e mbështeti këtë duke treguar për ndalimin e Milan Mitroviqit, i cili sipas dosjes u transferua personalisht nga Veseli në Kleçkë.
“Ne mund të shohim përfshirjen e Veselit edhe lidhur me ndalimin e Mitroviqit. Dosja tregon se Veseli e transferoi personalisht këtë person të keqtrajtuar në Kleçkë,” tha Halling. Ai prezantoi gjithashtu një dokument të bashkangjitur me shkrimin “Shtabi Kryesor (Luli)”.
Halling theksoi se edhe vetë Veseli kishte deklaruar se kishte qenë pranë Kleçkës gjatë transferimit të Mitroviqit, ndërsa një dëshmitar tjetër tha se Mitroviqi ishte rrahur keq në atë vend.
“Veseli ka ende shumë më tepër informacion për krimet, edhe përtej atyre ku ka qenë i përfshirë personalisht,” shtoi prokurori.
Sipas tij, mosangazhimi i Veselit për të parandaluar krimet në rolet e tij në Shtabin e Përgjithshëm dhe në njësinë e ZKZ-së kontribuon në akuzat e ngritura ndaj tij.
Halling theksoi gjithashtu se mungesa e Veselit në Kosovë nuk e ndryshon situatën, pasi ai mund të ushtronte kompetencat e tij kudo që ndodhej. Veseli ka qenë i përfshirë në udhëheqje dhe në veprimtari inteligjence, dhe së bashku me Thaçin ka marrë pjesë në emërime komandantësh.
Në një pjesë, seanca ka kaluar në sesion të mbyllur për shkak të ndjeshmërisë së informacioneve.
Prokuroria pastaj kaloi në rastin e Rexhep Selimit, ku pretendonte se Selimi i ka kontribuuar “qëllimit të përbashkët kriminal” dhe përmendet sërish se ai ka rrahur një të ndaluar me një tub plastik, si dhe ka kryer “krime tjera”.
Halling shtoi se i akuzuari kishte aftësinë për të trajtuar sjelljen e vartësve të tij.
“Selimi kishte aftësinë dhe informacionin për të trajtuar sjellje e vartësve të tij dhe ai ndërmori hapa për të hequr dikë si komandant Drini dhe jo dikë si Sylejman Selimi i cili ishte emëruar nga Rexhep Selimi dhe Shtabi i Përgjithshëm vetëm për të kryer krime me njerëzit e tij në Likoc. Rexhep Selimi nuk bën asgjë për të ndaluar kushëririn e tij Sylejmanin dhe provat për praninë e Selimit tek të ndaluarit dhe keqtrajtuarit në Likoc i dha atij edhe më shumë informacion për të ndërhyrë. Por, Drini u hoq dhe Sylejmani u bë komandant i përgjithshëm. Mekanizmi i llogaridhënies është kthyer komplet mbrapsht dhe kjo është e qëllimshme”, tha prokurori.
Tutje, Halling tha se një dëshmitar kishte thënë që kinse Selimi ka thënë se “do i vras me duart e mia të gjithë ata që janë me Rugovën”.
Halling tha se Selimi ishte i qartë vazhdimisht për bindjen e tij ndaj disa grupeve që i konsideronte kundërshtarë. Tha që Shtabi i Përgjithshëm nuk e kishte njohur dhe nuk do ta njihte kurrë këtë vijë institucionale, parlamentin e presidentin.
Prokuroria në Hagë: Të akuzuarit vepruan përmes një roli të fortë kolektiv
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, sot po vazhdon dhënia e fjalës përfundimtare nga Prokuroria në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Në vazhdim, prokurori Matt Halling iu referua argumenteve të mbrojtjes së Hashim Thaçit, e cila në paragrafët 124 deri në 127 të dosjes së saj pretendon se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) nuk ka vërtetuar, përtej dyshimit të arsyeshëm, se Thaçi ka qenë një nga anëtarët themelues të UÇK-së apo anëtar i Shtabit të Përgjithshëm ose Shtabit Qendror para vitit 1998.
Halling tha se këto argumente të mbrojtjes nuk qëndrojnë dhe se mbrojtja e Thaçit keq-orienton kur pretendon se Azem Syla, një nga anëtarët siq e quan Prokuroria “Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale (NKP)”, ka qenë në pozitë të dinte se kush kanë qenë anëtarët fillestarë të Shtabit të Përgjithshëm, duke shtuar se ky pretendim nuk është në përputhje me atë që është thënë për Hashim Thaçin si një nga themeluesit e UÇK-së.
Sipas Halling, në një provën(sipas ZPS), Azem Syla flet për përbërjen e parë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe i evidenton Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin si anëtarë themelues.
Ndërkaq, në provën tjetër, Syla flet për një çështje tjetër, përkatësisht për atë që ai e konsideronte një takim themelues të UÇK-së në dhjetor të vitit 1993.
Në këtë dëshmi, sipas Prokurorisë, Syla qëllimisht nuk i përmend pjesëmarrësit në atë takim dhe as nuk pretendon se ka renditur të gjithë themeluesit e UÇK-së që kanë qenë pjesëmarrës në atë mbledhje.
Halling shtoi se prova të tjera, përfshirë provën 186, tregojnë se themelimi i UÇK-së është kuptuar si i tillë që në prill të vitit 1993, në një mbledhje tjetër ku Azem Syla nuk ka marrë pjesë, por në të cilën kanë marrë pjesë Adem Jashari, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe të tjerë.
Sipas Prokurorisë, provat tregojnë dallime vetëm në cilësimin e momentit themelues të UÇK-së, por kjo nuk përbën mospërputhje sa i përket faktit nëse Hashim Thaçi ka qenë apo jo një nga themeluesit e saj.
Prokuroria në Hagë: Të akuzuarit vepruan përmes një roli të fortë kolektiv
Prokurori Matt Halling deklaroi se Prokuroria ka trajtuar tashmë përgjegjësinë penale individuale të të akuzuarve, duke theksuar se kontributi i tyre duhet kuptuar përmes rolit të fortë kolektiv që kanë pasur si anëtarë kryesorë të Shtabit të Përgjithshëm.
Sipas tij, të akuzuarit kanë gërshetuar autoritetin e tyre individual dhe e kanë shndërruar atë në një strukturë shumë më të gjerë veprimi. “Në rolet që kishin, ata ishin në gjendje të shpërndanin qëllimin e përbashkët kriminal, të emëronin anëtarët e ‘Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale (NKP)’ dhe mjetet përkatëse, të koordinonin përpjekjet e tyre dhe të mohonin veprat penale me qëllim që të mashtronin bashkësinë ndërkombëtare”, tha ai.
Halling: Strukturat përmes të cilave kanë operuar tregojnë kontrollin që ka pasur secili prej tyre
Halling tha se parashtrimet për qëllimet e përbashkëta janë diskutuar më herët dhe se krimet e kryera përbëjnë kontribute të rëndësishme të NKP-së. Ai shtoi se strukturat përmes të cilave kanë operuar tregojnë kontrollin që ka pasur secili prej tyre.
“Çfarë është thënë deri më tani lidhet me përgjegjësinë e tyre individuale”, tha Halling, duke theksuar se nuk do të përsërisë dosjen përfundimtare të Prokurorisë apo deklarimet e folësve të tjerë.
Ai bëri të ditur se do të fokusohet në aspektet e mbetura të provave që lidhen me përgjegjësinë e të akuzuarve, duke trajtuar disa prova për secilin prej tyre dhe argumentet e paraqitura nga mbrojtja në dosjet përfundimtare.
Sipas Prokurorisë, e njëjta sjellje që përcakton përgjegjësinë sipas NKP-së 1 apo NKP-së 3, në mënyrë alternative, përcakton gjithashtu përgjegjësinë për ndihmë dhe inkurajim, si dhe përgjegjësinë eprorë.
Dita e dytë e deklaratave përmbyllëse në Speciale
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, ka filluar dita e dytë e deklaratave përmbyllëse në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Prokurori Matt Halling deklaroi se të akuzuarit kanë pasur role të cilat ishin në gjendje të shpërndanin qëllimin e tyre, siç e quan ai të ‘përbashkët kriminal’.



