spot_img
E premte, 17 Prill, 2026
10:29
HomeKosovaProkuroria Speciale ende pa veprim ndaj kërcënimeve ndaj Osmanit – Presidenca reagon...

Prokuroria Speciale ende pa veprim ndaj kërcënimeve ndaj Osmanit – Presidenca reagon ashpër

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Rreth një javë pas raportimit të kërcënimit të fundit me jetë ndaj Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i dërguar përmes adresës elektronike zyrtare të Presidencës, autoritetet përgjegjëse ende nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim konkret.

Policia e Kosovës konfirmoi sot se Prokuroria Speciale e Kosovës nuk ka ngarkuar ende asnjë prokuror për të trajtuar rastin e kërcënimit serioz ndaj Presidentes, pavarësisht hapjes së hetimeve nga ana e Policisë.

- Advertisement -

Këshilltari për Media i Presidentes Osmani, Bekim Kupina, në një deklaratë për storm, ka thënë se kjo situatë është e papranueshme dhe se mungesa e veprimit nga Prokuroria Speciale përbën një kërcënim ndaj rendit kushtetues dhe stabilitetit institucional të vendit.

Ai ka theksuar se kërcënimet ndaj Presidentes janë të përsëritura dhe shumë prej tyre janë bërë publikisht, por deri tani nuk ka asnjë të arrestuar.

- Advertisement -

“Është e papranueshme që pas një jave nga kërcënimi i fundit serioz ndaj Presidentes së Republikës, ende të mos ketë asnjë veprim konkret nga Prokuroria Speciale. Këto nuk janë vetëm kërcënime ndaj individit, por ndaj kreut të shtetit dhe rendit kushtetues. Në një kohë kur Presidenca është institucioni i vetëm me kompetenca të plota, çdo kërcënim ndaj saj është një sulm ndaj stabilitetit institucional të vendit. Është shqetësuese mungesa e efikasitetit dhe reagimit të shpejtë nga institucionet përkatëse, sidomos kur kemi të bëjmë me persona që publikisht kanë kërcënuar pa u përpjekur as të fshehin identitetin.”

Sipas të dhënave të bëra publike nga Presidenca dhe burime brenda Policisë së Kosovës, Presidentja Osmani ka qenë objekt i dhjetëra kërcënimeve me jetë në mënyrë të përsëritur.

Megjithatë, asnjë person nuk është arrestuar deri më tani, edhe pse shumë prej këtyre kërcënimeve janë bërë hapur në rrjete sociale dhe platforma të tjera publike.

Kupina shtoi se Presidenca pret nga organet e drejtësisë që të trajtojnë këto raste me prioritet dhe seriozitet maksimal, duke theksuar se siguria e Presidentes nuk është vetëm çështje individuale, por çështje shtetërore.

“Mosveprimi i institucioneve nuk është thjesht neglizhencë administrative – është një precedent i rrezikshëm për funksionimin demokratik dhe sigurinë e shtetit,” theksoi ai.

Përballë kësaj situate, Presidenca ka kërkuar veprim urgjent nga Prokuroria Speciale dhe Policisë së Kosovës për të garantuar mbrojtjen e rendit kushtetues dhe për të dhënë një sinjal të qartë se kërcënimet ndaj institucioneve të Republikës nuk do të tolerohen.

spot_img
ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat