Në bibliotekën “Ernest Koliqi” në Prishtinë, u promovua libri i autorit Fatmir Toçi, “Arbëreshët – Shqiptarët e Italisë”, në prani të dashamirëve të librit dhe komunitetit arbëresh.
Ky aktivitet u organizua në kuadër të ciklit kulturor “Pena e Dritës”, që këtë vit shënon dy vjetorin e tij dhe organizohet përmuajshëm nga Shoqata e Bashkësisë “Drita” dhe biblioteka “Ernest Koliqi”.
Nën moderimin e Fatmir Koliqit, mbrëmja kulturore nisi me interpretimin e këngës së njohur dhe të përmallshme “Moj e bukura More”, të interpretuar nga Doruntina Gjini, e shoqëruar në piano nga Magdalena Sedaj dhe në çello nga Shpëtim Mehmetaj, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe plot emocione, shkruan KultPlus.
Për librin folën profesorët Xhavit Beqiri dhe Bajram Kosumi, të cilët e vlerësuan si një punim enciklopedik dhe një nga studimet më të plota mbi arbëreshët, duke theksuar se ky projekt është një kontribut unik i autorit për ruajtjen e historisë dhe identitetit kulturor, një detyrë që shpesh institucionet nuk e kanë realizuar.
Fatmir Toçi rrëfeu për publikun pasionin dhe përkushtimin e tij gjatë disa viteve të punës për të sjellë këtë libër, ndërsa prania e personaliteteve të njohura të kulturës shqiptare e bëri takimin edhe më të pasur. Ndërsa, Akademik Ali Aliu theksoi rolin e arbëreshëve në nisjen e Rilindjes Kombëtare, duke nënvizuar se pa kontributin e tyre, shumë elementë të kulturës shqiptare nuk do të ekzistonin sot.
Po ashtu, edhe Prof. Enver Hoxhaj shtoi se arbëreshët janë shembulli unik i një migrimi shqiptar që ka ruajtur me përkushtim gjuhën, zakonet dhe traditat e veta, duke krijuar një trashëgimi të çmuar kombëtare dhe ndërkombëtare.
E më pas, promovimi u mbështet edhe me një letër nga Vehbi Miftari, shef i Misionit të Kosovës në Vatikan.
Pas prezantimeve, pjesëmarrësit vazhduan bisedimet dhe reflektimet mbi librin gjatë një kokteji në ambientet e “Agoras”, duke i dhënë kështu mbrëmjes një përmbajtje të plotë kulturore dhe sociale.
Ky promovim i librit “Arbëreshët – Shqiptarët e Italisë” shënon një moment të rëndësishëm për dokumentimin e historisë dhe kulturës arbërore, duke rikujtuar rolin e saj në ruajtjen e identitetit shqiptar përmes shekujve.
Ndryshe, libri i Fatmir Toçit është një thirrje për të njohur, ruajtur dhe promovuar trashëgiminë arbërore, duke vlerësuar se identiteti kulturor është një pasuri që lidh të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e shqiptarëve kudo që jetojnë.



