Në sallën e shkollës “Angela Merkel”, nën kujdesin e bashkisë Kamzë, u promovua sot romani i ri me titull “Ministri” i autorit Ahmet Prençi.
Të pranishëm në këtë takim përveç kryetarit të bashkisë, Rakip Suli ishin dhe botuesja e romanit Elda Vela, shkrimtarët Ben Blushi, Arben Çejku dhe Ylljet Aliçka si dhe aktorët Ervin Bejleri dhe Ola Arizaj të cilët interpretuan pjesë nga romani, duke ngjallur emocione tek të pranishmit.
Moderatorja dhe gazetarja Monika Stafa në hapje të këtij aktiviteti tha se nëse në dy romanet e para autori ka një gjuhë artistike të shtuar, tek “Ministri”, që në titull, ka një thellësi politike.
“Ky mbetet një roman model. Romane të tillë me trille politike janë ndër më të shiturit. Unë i uroj autorit suksese dhe frymëzime edhe më të thella”, tha Stafa.
Botuesja Eda Vela duke falënderuar bashkinë Kamzë dhe kryebashkiakun Rakip Suli për mbështetjen ndaj librit dhe kulturën theksoi se ka kënaqësinë të jetë e pranishme në promovimin e romanit “Ministri”.
“Me Ahmetin jemi ulur disa herë për të diskutuar mendimet, derisa në fund krijesa e Ahmetit tashmë ka marrë “flatra”. Me këtë libër ndërgjegjen tonë Ahmeti e ka vendosur para pasqyrës. Në faqet e tij zhvillohet një përballje titanësh. Është një mesazh i fortë për një vend që shpesh harron, fal, por në fund gjithmonë vuan pasojat. Unë mendoj se ky është një roman me një gjuhë të pasur filmike, madje mendoj që Ylljet Aliçka ta konsideronte për trilogji për një film. Është një rrugëtim i thellë politik dhe emocional, që e çon lexuesin përballë pikëpyetjeve mbi drejtësinë dhe përgjegjësinë. Ju ftoj ta lexoni”, tha Vela.
Shkrimtari dhe skenaristi Ylljet Aliçka në fjalën e tij tha se “nuk ndodh shpesh që letërsia të bëjë kaq shumë njerëz bashkë. Por pasi i bëmë një vizitë shkollës “Angela Merkel” me kolegët dhe kryetarin Suli, u njohëm edhe me arritjet e kësaj bashkie, shkon natyrshëm kur sheh kaq shumë njerëz, është për t’u përshëndetur! Sot jemi mbledhur për librin. Fatmirësisht e kam ndjekur letërsinë e Ahmet Prençit dhe nuk është e lehtë të flasë një shkrimtar për një tjetër. Duke e njohur rrugëtimin e tij, ky libër i fundit më pëlqeu më shumë se të tjerët. Elda bëri një propozim. Ky është një libër që të provokon për ta bërë film dhe mund të propozoj që të bëhet film”, tha ai.
I pranishëm në këtë promovim ishte dhe shkrimtari Ben Blushi, i cili në fjalën e tij tha se lexuesi me këtë botim ka blerë një film dhe jetën e Ahmet Prençit.
“Me dy fjalë, ky libër tregon historinë e një banditi, që sigurisht nuk ishte nga Kamza, se Kamza s’ka banditë, i cili pas një jete shumë të vështirë dhe problematike, arratiset nga Shqipëria, të integrohet disi, por bën diçka që shumë gra e bëjnë sot, ajo që quhet operacion plastik që të humbte gjurmët. Pasi mendon që i ka humbur gjurmët, ky bandit kthehet dhe futet në politikë. Ai kërkon vota, bëhet ministër i Brendshëm. Dhe kur ju thashë që keni blerë film, libër dhe jetën e Ahmet Prençit, së pari, a është kjo një temë e rëndësishme në shoqërinë tonë? A bashkëpunon sot politika me krimin sa ky personazhi i Ahmet Prençit? Për fat të keq, po. S’dua të bëj moral politik, por kjo është tema e librit. Ahmeti Prençi ka pasur mjeshtërinë që ta shpjegojë këtë gjë”, tha Blushi.
Më tej Ben Blushi tha se “Ahmeti ka qenë një nga drejtorët më të mirë të policisë që ka pasur Shqipëria. Dhe një person i tillë tregon lidhjen politikë-krim, askush më mirë se ai nuk mund ta dijë”.
“Realisht mua më ka pëlqyer shumë, i shkruar mirë, ekonomik, i sinqertë dhe me personazhe interesantë. Për mua shkëlqen vetë Ahmeti mbi të gjitha. Ai ka treguar një pjesë të jetës së vet. Në fund fare e mira triumfon dhe Ahmeti, shteti, arrin ta kapë banditin aty ku e meriton. Ky është me pak fjalë libri. Realisht ia vlen ta blini librin, njihni një Shqipëri që nuk e njihni më mirë se ai që e ka shkruar”, tha Blushi. /atsh



