Propaganda e qeverisë së Serbisë nuk ka të ndalur. Ndjekjet penale të policisë dhe prokurorisë së Republikës së Kosovës i quan “inkursion” ndaj popullatës serbe në pjesën veriore të Mitrovicës. Një deklaratë e tillë u bë nga kryeministri Vuçeviq në mëngjesin e sotëm për një medium serb. “Çështja është se ku do të çojë ky hetim inkuizitor i tyre (i Kosovës – shënimi i redaksisë), por ajo që fatkeqësisht vazhdon është ai presioni ndaj serbëve çdo ditë” – theksoi Vuçeviq.
Ndërkohë, në të njëjtën deklaratë, Vuçeviq konfirmoi se bëhet fjalë për të dyshuarit në lidhje me protestën e vitit të kaluar, të organizuar nga grupet serbe kundër hyrjes së kryetarëve të zgjedhur në zgjedhjet ku Lista Serbe nuk kishte marrë pjesë. Ai tha: “…kam informacione se ata (autoritetet e Prishtinës) e kanë arrestuar njërin nga të rinjtë sepse dyshohet se ka lidhje me protestën e serbëve të vitit të kaluar në Zveçan.”
Kujtojmë se Serbia politike dhe jo vetëm, ndodhet në ditët kur me çdo kusht dëshiron ta paraqesë Kosovën si represioniste ndaj komunitetit serb, për të arritur deri te një situatë ku do të ketë më shumë presion ndaj qeverisë së Kosovës për të ndërmarrë hapa praktikë në lidhje me Asociacionin. Në të kundërtën, Serbia, si edhe në të kaluarën, mund të realizojë ndonjë skenar të përshkallëzimit të situatës, me ngjarje si ajo e Banjës së Zveçanit.
by: storm-rks