Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë mbajtur sot një protestë simbolike para ndërtesës së Kuvendit, në shenjë revolte ndaj asaj që e cilësojnë si tendencë për shtrembërimin e historisë së luftës çlirimtare.
Pas përfundimit të protestës, Organizata e Veteranëve të Luftës (OVL-UÇK) ka falënderuar pjesëmarrësit dhe ka paralajmëruar se aktivitetet e tyre do të vazhdojnë nëse institucionet shtetërore nuk reflektojnë ndaj kërkesave të tyre.
„Falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit në protestën simbolike të sotme. Njëkohësisht, njoftojmë opinionin publik se nëse nuk do të ketë reflektim nga ana e institucioneve ndaj kërkesave tona, aktiviteti ynë kundër tendencave për shtrembërimin e historisë sonë do të vazhdojë edhe në ditët në vijim“, thuhet në njoftimin zyrtar të OVL-UÇK-së.
Revolta ndaj ekspozitës për masakrat Kjo protestë u nxit nga pakënaqësitë lidhur me përmbajtjen e një ekspozite të hapur në sheshin e kryeqytetit nga organizata „Integra“. Sipas veteranëve, në këtë ekspozitë janë paraqitur të dhëna skandaloze lidhur me masakrat e viteve 1998-1999 në Kosovë.
Pretendimet e protestuesve fokusohen në uljen e qëllimshme të numrit të viktimave në disa raste, si dhe në portretizimin e pasaktë të viktimave të Masakrës së Dubravës, të cilët në ekspozitë janë paraqitur si persona të armatosur. Veteranët kërkojnë llogaridhënie nga institucionet që kanë lejuar apo financuar projekte që lëndojnë narrativën e luftës për liri.



