“Mos e ndal zhvillimin ekonomik”, “Mos na ndalni prodhimin”, “Importi falënderon ZRRE-në për ndihmën”, “Treg i lirë me zor, rritje e papunësisë”, “Mos e favorizoni importin”, “Energji për zhvillim, jo për shkatërrim” – janë disa nga parullat që po shfaqen në protestat e bizneseve kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), i cili hyri në fuqi më 1 qershor.
Vendimi për kalimin e detyrueshëm në tregun e lirë të energjisë ka shkaktuar shqetësim të madh në sektorin prodhues dhe atë të industrisë së lehtë dhe të rëndë. Sipas përfaqësuesve të bizneseve, ndryshimi i modelit të furnizimit me energji elektrike po u rrit ndjeshëm kostot, duke i vendosur në pozitë të pafavorshme konkurruese në raport me importuesit.
“Ne nuk jemi kundër reformave, por ky vendim është i paqëndrueshëm në këtë fazë dhe po e rrezikon drejtpërdrejt prodhimin vendor”, u shpreh një përfaqësues i industrisë përpunuese. Ai shtoi se mungesa e mbështetjes dhe e tranzicionit të duhur drejt një tregu të lirë po përkthehet në humbje të vendeve të punës dhe mbyllje të mundshme të disa kapaciteteve prodhuese.
Bizneset po kërkojnë nga ZRRE dhe institucionet përkatëse që të rishikojnë vendimin dhe të krijojnë një model më të drejtë dhe të qëndrueshëm, i cili nuk penalizon prodhimin vendas. Sipas tyre, energjia duhet të jetë një shtyllë për zhvillimin ekonomik dhe jo një barrë shtesë në kohë sfidash të shumta ekonomike.
ZRRE ende nuk ka reaguar ndaj protestave, por debati mbi reformën në tregun e energjisë duket se sapo ka nisur.