Në një takim të mbajtur sot në Presidencën e Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani ka pritur të dërguarin e posaçëm të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Eirik Nestås Mathisen.
Në fotografitë zyrtare të publikuara pas takimit, bie në sy prania e ish-ministrit të Mbrojtjes në Qeverinë Kurti 2, Armend Mehaj, i cili ishte i ulur në anën e delegacionit norvegjez dhe jo në protokollin e institucioneve të Kosovës.
Komunikata e Presidencës nuk përmend ndonjë funksion aktual të Mehajt, që do të shpjegonte këtë rol në takim. Ai është i njohur për lidhjet e tij me Norvegjinë, ku ka jetuar dhe punuar përpara angazhimit në Qeverinë Kurti, por nuk dihet nëse për momentin ka ndonjë mandat formal nga Kosova ose Norvegjia.
Prania e tij në këtë format hap pikëpyetje rreth rolit që ka luajtur në këtë takim: a ishte këshilltar, ndërmjetës apo thjesht i pranishëm në kapacitet privat?
Një sqarim zyrtar për këtë çështje ende mungon.