Një punëtor 29-vjeçar ka humbur jetën pasditen e së enjtes në Gjakovë, pasi ka rënë nga një objekt i lartë gjatë punës me kran. Ngjarja tragjike ka ndodhur rreth orës 17:00 në rrugën “Pjetër Bogdani”.
Policia e Kosovës e ka konfirmuar rastin, duke bërë të ditur se ekipet policore dhe urgjenca mjekësore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku është konstatuar vdekja e viktimës.
“Rreth orës 17:00, Policia është njoftuar se një person mashkull, i moshës madhore, ka rënë nga një ndërtesë e lartë gjatë kohës sa ishte duke punuar në rrugën ‘Pjetër Bogdani’ në Gjakovë. Njësitet përkatëse policore dhe ekipi emergjent mjekësor kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku edhe është konstatuar vdekja e viktimës”, njofton policia.
Sipas policisë, në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i shtetit, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për të sqaruar plotësisht rrethanat e incidentit.
Policia thekson se një person është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit dhe po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore.



