Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se, nëse Evropa “vendos të shkojë në luftë me Rusinë” dhe e nis atë, Moska është “gati tani”. Ai akuzoi vendet evropiane se nuk kanë “agjendë paqeje” dhe se janë “në anën e luftës”, duke e lidhur këtë me mbështetjen perëndimore për Ukrainën. Putin shtoi se një përshkallëzim i tillë mund ta çojë situatën shpejt në një pikë ku Rusia “s’do të ketë me kë të negociojë”, ndërsa kërkesat evropiane për përfundimin e pushtimit të Ukrainës i cilësoi “të papranueshme” për Moskën.
Në anën tjetër, në një fjalim në Berlin, ministri i Jashtëm i Gjermanisë Johann Wadephul tha se vlerësimet e shërbimeve të inteligjencës tregojnë se Rusia “të paktën po e mban të hapur opsionin” e një lufte kundër NATO-s “deri më 2029”, duke kërkuar forcim të parandalimit dhe koordinim me aleatët.
Raportimet në Evropë flasin edhe për rritje të incidenteve të dyshuara si veprimtari “hibride” të lidhura me Rusinë – nga sulme kibernetike e sabotime, deri te shkelje të hapësirës ajrore. Reuters raportoi se këto shkelje janë shtuar që nga shtatori 2025, përfshirë raste kur dronë rusë kanë hyrë në hapësirën ajrore të Polonisë dhe avionë ushtarakë rusë kanë shkelur hapësirën ajrore të Estonisë.
Në këtë kontekst, Andrius Kubilius ka paralajmëruar se Evropa nuk ka ende kapacitete të mjaftueshme zbulimi dhe mjete kosto-efektive për t’i rrëzuar dronët, duke pranuar se reagimi i BE-së mbetet i pamjaftueshëm.



