storm•/Invazioni: Ndërsa lufta në Ukrainë po vazhdon, presidenti rus Vladimir Putin po detyrohet të dërgojë në front edhe burra të moshuar. Sipas disa mediave të pavarura ruse, Kremlini po rekruton ushtarë nga të gjitha drejtimet, ndërkohë që numri i vullnetarëve të rinj është në rënie të vazhdueshme. Vullnetarët “idealë” po zëvendësohen gjithnjë e më shpesh nga burra që dërgohen në vijën e parë të frontit nën kërcënime ose për shuma të mëdha parash.
Që nga fillimi i vitit, është rritur ndjeshëm numri i ushtarëve rusë mbi moshën 50-vjeçare në vijat e para të frontit. Shumë ushtarakë po ankohen për këtë situatë: “Kolegët më të moshuar nuk e përballojnë dot jetën në vijën e parë, nuk arrijnë të mbajnë çantat e rënda ose të gërmojnë llogore.”
Revista e Ministrisë së Mbrojtjes “Komisariatet Ushtarake të Rusisë” raporton se vetëm 20.8% e vullnetarëve rusë që shkojnë në luftë kundër Ukrainës kanë arsim të lartë. Shumica e vullnetarëve (47%) kanë arsim të mesëm profesional, ndërsa 32.2% kanë arsim të mesëm të përgjithshëm. Për më tepër, rreth 80% e tyre janë të punësuar, ndërsa 20.5% janë të papunë. Gjithashtu, më shumë se gjysma e vullnetarëve janë beqarë.
Pjesa më e madhe e vullnetarëve tashmë kanë shërbyer më parë në ushtri.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes ruse: “Një vullnetar modern rus është një rezervist i motivuar lart, me ndjenja të thella patriotike, i gatshëm për të mbrojtur Atdheun.”