Zyra e Kryeministrit, përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhje elektronike, në të cilën ka marrë disa vendime, përfshirë këtu edhe ndarjen e mjeteve financiare për përmbushjen e obligimit të arbitrazhit ndaj kompanisë së Behgjet Pacollit, ‘‘Mabco Contructions’’, në atë që njihet si rasti i ‘‘Grandit’’.
Në vendim bëhet e ditur se shuma të cilën Qeveria ka qenë e detyruar për ta ndarë për kompaninë e Pacollit është 6,740,000.00 Euro.
Tutje, aty tregohet edhe se një pjesë e tyre, më saktë 5,311,560.05 euro ndahen në emër të dëmshpërblimit dhe kamatës, një pjesë prej 367,944.00 euro dhe 33,073.50 CHF në emër të kostos së përfaqësimit, dhe pjesa e fundit prej 1,104,312.20 USD ndahet në emër të kostos së arbitrazhit.
Më tej, në njoftim shtohet se të hollat do të merren nga Ministria e Financave Punës dhe Transfereve, e cila, siç edhe bëhet e ditur obligohet që të zbatojë vendimin.
‘‘Mjetet nga pika 2. të këtij vendimi transferohen në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, me kod 201, në nën-programin “Thesari” me kod 11200, në kategorinë e shpenzimeve “Subvencione dhe Transfere”’’, thuhet në vendim mes tjerash.
Rreth kësaj, dy muaj më parë kishte reaguar vetë Pacolli, i cili atëherë kishte bërë të ditur se kompania e tij **Mabco Construction Int.** kishte fituar arbitrazhin ndërkombëtarë.
Postimi i plotë i Behgjet Pacollit:
Më në fund, kompania ime **Mabco Construction Int.** ka fituar drejtësisht arbitrazhin ndërkombëtarë i organizuar nga dhoma e posaqme e Bankës botërore në Washington për rastin e Grandit, ndaj Shtetit të Kosovës.
Vendimi parashikon që Qeveria e Kosovës duhet:
- **Të rikthejë shumën e paguar nga Mabco**
për objektin që, për shkak të refuzimit për të paguar haraç, nuk iu njoh kurrë e drejta e pronësisë, megjithëse pagesen Qeveria e kishte inkasuar në kohë (në vitin 2006).
Ky triumf në arbitrazhin ndërkombëtar është një sinjal i qartë se
**“E drejta vonohet, por gjithmonë del në dritë”**.
Disa mesazhe të rëndësishme që sjell ky vendim janë:
- a) **Çfarë nuk është, kurrë nuk mund të bëhet e jotja!**
- b) **Një sinjal tjetër i qartë është nevoja për një sistem drejtësie të paanshëm dhe funksional**, që garanton të drejtat e investitorëve dhe i mbron ata.
Vetëm në një sistem dinjitoz investitorët mund të kenë besim për të investuar në vend.
Unë gjithmonë kam refuzuar çdo gjë që nuk më përkiste, por kam mbrojtur atë që është e imja.
- c) **Vendimi i arbitrazhit ndërkombëtar, është një obligim për Qeverinë që të kthejë shumën që Mabco e pagoi në vitin 2006 në llogarinë e shtetit.
Në këmbim, Qeveria kishte ofruar asgjë dhe duke refuzuar njohjen e Mabco si aksionare në objektin e blerë, ndonëse marrëveshja ishte e qartë dhe Qeveria e Kosovës ishte dy herë e informuar per këtë.
- d) Ky vendim nxjerr në pah poashtu edhe tentativat për mashtrim të Zylqif Berishës, i cili, me skenarët dhe njerëzit e tij të “fortë”, për 18 vite më ka shkaktuar shumë kokëçarje.
Por, në fund, drejtësia triumfoi e Berisha per shkak të lakmive të tij sot mundet me e pa Hotelin Grand vetem nga distanca.
Po të kishte qenë korrekt Zylqif Berisha , sot Hoteli Grand do të ishte një perl e ai do të ishte pronar, si në marvrshje i 40%.