Mjekët dhe infermierët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) nuk janë paguar për kujdestaritë e mbajtura gjatë muajit mars, duke përsëritur të njëjtën situatë problematike që ndodhi edhe gjatë muajit shkurt.
Lidhur me këtë shqetësim ka raportuar gazetarja e Klan Kosovës, Arbreshë Uka, e cila e kishte ngritur të njëjtën çështje edhe muajin e kaluar, duke vënë në pah vonesat sistematike që po prekin stafin shëndetësor.
Reagimi i ashpër i Sindikatës Për këtë situatë ka reaguar menjëherë Sindikata e Punëtorëve Shëndetësorë të QKUK-së, e cila e ka cilësuar mospagesën e kujdestarive si të papranueshme dhe si një akt të pastër të neglizhencës institucionale. Në reagimin e tyre publik, sindikata thekson se kujdestaritë janë një obligim i rregullt dhe i planifikuar brenda sistemit shëndetësor, e jo një shpenzim i paparashikuar.
“Mosrealizimi i pagesave në kohë dëshmon për një neglizhencë të qartë institucionale në përpunimin e listave, në aprovimet administrative apo në transferimin e mjeteve financiare. Ky dështim nuk mund të arsyetohet ndryshe përveçse me mungesë efikasiteti dhe përgjegjësie nga strukturat përkatëse”, thuhet në deklaratën e sindikatës.
Shteti u mbetet borxh ‘heronjve të bardhë” Me këtë vonesë të radhës, shteti u mbetet borxh mjekëve dhe infermierëve për pagesën e kujdestarive për dy muaj radhazi. Ky bllokim financiar po shkakton pakënaqësi të mëdha te punonjësit shëndetësorë, të cilët përballen me vëllim të lartë pune, ndërkohë që pagesat për punën shtesë po mungojnë në llogaritë e tyre bankare.
Deri më tani, institucionet përgjegjëse nuk kanë dhënë një sqarim zyrtar se kur pritet të ekzekutohen këto mjete apo cilat janë pengesat teknike që po e bllokojnë këtë proces për herë të dytë brenda vitit.



