Në Rahovec është evidentuar një parregullsi në materialin zgjedhor: në qendrën e votimit në shkollën “Isa Boletini” janë gjetur fletëvotime me shenja të dukshme (pika të verdha) te numrat 63 dhe 64. Menaxheri i qendrës ka deklaruar për T7 se nga 11 vendvotime janë grumbulluar rreth 4 mijë fletëvotime me këto shenja.
Sipas tij, bëhet fjalë për një problem “serik” gjatë printimit dhe jo për shenja të vendosura me dorë. Ai ka shtuar se procesi po vazhdon me fletëvotime “të pastra”, duke falënderuar kryesuesit që e kanë raportuar me kohë çështjen.
Ndërkohë, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka bërë të ditur se në Rahovec kanë pranuar raportime për shenja të dukshme në disa fletëvotime, gjë që – sipas tij – ka shkaktuar ankesa në radhët e këshillave të vendvotimit.
Raportime të tjera mediale kanë bërë të ditur se fletëvotime të tilla janë lënë për momentin anash, deri në vendimmarrjen për hapat e mëtejmë.



