Pas një serie vrasjesh të rënda që ditëve të fundit kanë tronditur Kosovën, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar çarmatosjen urgjente të vendit nga armët e paligjshme. Ngjarjet e fundit kanë ngritur shqetësimin publik mbi përhapjen e frikshme të armëve në duar të gabuara dhe mungesën e reagimit të shpejtë institucional.
“Këto nuk janë thjesht numra. Janë fqinjët tanë, miqtë tanë, anëtarët e familjeve tona. Dhimbja e tyre është dhimbja jonë si shoqëri, si institucione, si shtet,” deklaroi Rama, duke e quajtur situatën alarmante dhe të papranueshme.
Ai u bëri thirrje Policisë së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjyqësorit dhe kryetarëve të komunave që të nisin menjëherë një fushatë të koordinuar për konfiskimin e armëve të paligjshme. Sipas tij, veprimet duhet të jenë të shpejta, të ligjshme dhe transparente.
Rama kritikoi ashpër gjendjen aktuale të institucioneve, duke theksuar se vendi ndodhet pa një qeveri funksionale në një moment kur siguria publike është në rrezik. “Populli i këtij shteti ka mbetur me institucione ‘në detyrë’, ndërsa rreziku çdo ditë po merr jetë,” tha ai.
Sipas të dhënave të organizatave të sigurisë, Kosova mbetet një ndër vendet në rajon me numër të lartë armësh në qarkullim, shumë prej të cilave nuk janë të regjistruara. Për ekspertët, kjo është një “bombë me sahat” që mund të shpërthejë në çdo moment – një realitet që ngjarjet e fundit e kanë bërë të prekshëm për të gjithë.
“Kjo nuk është vetëm një thirrje për veprim, por një detyrë morale. Viktimat i nderojmë jo vetëm me fjalë, por me ndryshim real,” përfundoi Rama.