Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar se KOSTT, KEDS dhe KESCO kanë dorëzuar kërkesat për përshtatjen e të Hyrave të Lejuara për vitin 2025.
Në sqarimin e ZRRE-së thuhet se këto kërkesa janë paraqitur në përputhje me kërkesat ligjore dhe tashmë janë publikuar në faqen zyrtare të ZRRE-së, ku janë të aksesueshme për publikun.
ZRRE ka bërë të ditur se do të shqyrtojë në mënyrë të detajuar dokumentet e dorëzuara dhe, pas përfundimit të vlerësimit, do të hartojë një raport për konsultim publik.
“Ky raport do të përmbajë analiza dhe rekomandime dhe do të jetë i hapur për komente nga qytetarët dhe palët e interesuara për një periudhë dyjavore. Pas shqyrtimit të sugjerimeve të marra gjatë konsultimit publik, ZRRE do të përgatisë vlerësimin përfundimtar, i cili do t’i dorëzohet Bordit të ZRRE-së për miratim. Ky proces synon të garantojë transparencë dhe përfshirjen e publikut në vendimmarrje”, thuhet në sqarim.
Deri në publikimin e raportit për konsultim, ZRRE nuk mund të japë asnjë qëndrim mbi mundësinë e ndryshimit të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2025.
“Çdo spekulim lidhur me rritjen e tarifave, përpara publikimit të raportit të ZRRE-së, është i pavërtetë dhe i pabazuar”, theksohet në sqarimin e ZRRE-së.



