Debati që ka shpërthyer mes pozitës dhe opozitës për rastin “double M” (Mimoza ☎️ Millan), ngjan më shumë me një teatër politik sesa me një përballje të drejtë për drejtë me problemin që është kthyer në fenomen.
Thelbi i këtij rasti nuk qëndron thjesht tek fakti se një Mimozë – pa detyrë publike – mund të kishte biseduar apo takuar Radojiçiqin. Problemi qëndron tek roli i saj si një përfaqësuese e lartë e shumicës së popullit në Kuvendin e Kosovës.
Është e pamohueshme që përgjegjësia publike kërkon një standard të lartë të llogaridhënies. Mos të harrojmë që zonja Kusari-Lila, ka deklaruar se nuk ka pasur biseda të tjera me Radojiçiqin dhe se nuk ka folur serbisht me të.
Por, kjo nuk ishte mjaftueshëm bindëse atëherë dhe nuk doli mjaftueshëm e vërtetë sot. Qytetarët kanë të drejtë të dinë të vërtetën e plotë, veçanërisht kur bëhet fjalë për marrëveshje dhe pazare të mundshme që lidhen me interesa të rëndësishme shtetërore. Është detyrë e palëve të përfshira që t’i sqarojnë këto akuza (deri dikund të faktuara nga gazetaria) në mënyrë të plotë dhe transparente.
Nuk duhet lënë pa përmendur edhe një faktor tjetër: deklarata e Simiqit, i cili mund të luajë rolin e dëshmitarit kyç në këtë çështje. Nëse ekzistojnë inçizime të tjera dhe çështja e takimeve të së hënës, siç përmendet, para të ashtuquajturës “e martë e famshme”, ku pretendohet se janë materializuar në seancë marrëveshjet, atëherë ato duhet të bëhen publike.
Çdo provë, çdo pamje e një individi tjetër që hyn dhe del nga vila e Radojiçiqit, është thelbësore për të zbardhur të vërtetën e politikës tonë me këtë kriminel. Ky popull ka të drejtë të dijë se kush e udhëheq dhe nga kush përfaqësohet populli opozitar.
Kjo nuk është çështje personale apo një rast që mund të mbetet në rrjetin e politikës së ditës. Këtë herë, zonja Kusari-Lila nuk duhet të paraqesë vetëm versione politike dhe emocionale të ngjarjes, por vërtetë që duhen rrëfime juridike të paraqitura para Prokurorisë së Shtetit.