Aleanca Kosovare e Bizneseve – Zyra e Rrafshit të Dukagjinit, e udhëhequr nga Kryetari Mr. Sci. Argjend Fetahu, ka reaguar fuqishëm ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke paralajmëruar masa të ashpra kundërshtuese në rast të mosrishikimit të këtij vendimi.
Vendimi i ZRRE-së që parashikon largimin e bizneseve nga furnizuesi universal dhe rritjen e tarifave të energjisë elektrike, është cilësuar nga Kryetari Fetahu si një veprim i njëanshëm dhe i papërgjegjshëm, që kërcënon seriozisht ekzistencën e bizneseve në Rrafshin e Dukagjinit dhe më gjerë.
“Ky vendim është një barrë e papërballueshme për sektorin privat, që tashmë po përballet me sfida të shumta ekonomike. Rritja e çmimeve të energjisë nënkupton rritje të çmimeve për qytetarët dhe rrezik të humbjes së vendeve të punës”, deklaroi Kryetari Fetahu.
Zyra e Rrafshit të Dukagjinit i ka dhënë mbështetje të plotë qëndrimit të Bordit Qendror të AKB-së dhe ka paralajmëruar reagim të organizuar nëse vendimi nuk anulohet ose nuk pezullohet urgjentisht. Sipas tyre, protestat janë të pashmangshme dhe mund të përfshijnë edhe bllokimin e rrugëve me mjete motorike, si formë presioni ndaj autoriteteve.
“Kërkojmë përfshirjen e drejtpërdrejtë të përfaqësuesve të bizneseve në procesin e vendimmarrjes dhe një rishikim urgjent të këtij vendimi të padrejtë dhe të dëmshëm”, theksohet në reagim.
Me mijëra anëtarë të angazhuar në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, AKB – Zyra e Rrafshit të Dukagjinit është në koordinim të ngushtë me Bordin Qendror dhe është e gatshme për veprim të bashkërenduar për të mbrojtur interesat e bizneseve dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në vend.
“Dukagjini nuk do të heshtë përballë padrejtësisë. Reagimi do të jetë i fuqishëm, i organizuar dhe i palëkundur”, përfundoi Kryetari Fetahu.



