storm•/Siria: Një grup rebelësh islamikë sirianë, Hayat Tahrir al-Sham (HTS), njoftoi të enjten se ka hyrë në lagje të reja të qytetit qendror Hama, duke i dhënë një tjetër goditje Presidentit Bashar al-Assad pas një ofensive të papritur që çoi në marrjen e qytetit verior Aleppo javën e kaluar.
HTS, i cili kishte avancuar nga fshatrat në veri të Hamës, deklaroi se ka zgjeruar kontrollin në disa lagje brenda qytetit. Hama, e cila ndodhet 185 kilometra në veri të Damaskut, duket se është braktisur nga ushtria siriane, e cila tha se njësitë ushtarake janë “riorganizuar dhe pozicionuar jashtë qytetit” për të “mbrojtur jetën e civilëve.”
Ushtria siriane pranoi se konfrontimet e ashpra kanë çuar në humbje të shumta nga të dyja palët, ndërsa rebelët kanë arritur të depërtojnë në qytet dhe të marrin kontrollin pavarësisht dëmeve të rënda.
HTS njoftoi gjithashtu se ka hyrë në Burgun Qendror të Hamës dhe ka liruar të burgosur. Duke kujtuar represionin brutal të vitit 1982 nga Hafez al-Assad, babai i Bashar al-Assad-it, grupi deklaroi: “Hafez al-Assad hyri në Hama me tanke dhe grabiti popullin e saj. Sot, ne hymë me tanke dhe po ia kthejmë qytetin popullit të tij.”