Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë në dy raste të ndara, njëri në Gjakovë dhe tjetri në Prishtinë.
Të dyshuarit akuzohen për shkelje të rënda gjatë ushtrimit të detyrës së tyre.
Sipas njoftimit të IPK-së, njëri nga zyrtarët policorë dyshohet për përdorimin e armës në një aheng familjar në Gjakovë, rast që daton në janar të këtij viti.
“Lidhur me rastin e parë që raportohet të ketë ndodhur në Gjakovë në janar të këtij viti në një aheng familjar, hetuesit e IPK-së bazuar në veprimet hetimore të ndërmarra deri tani, zyrtari policor është i dyshuar për dy vepra penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre””, thuhet në njoftimin e IPK-së.
Ndërkaq, rasti i dytë lidhet me një polic të Drejtorisë së Policisë së Kryeqytetit, i cili dyshohet për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.
“Në rastin e dytë hetuesit e IPK-së kanë rekomanduar suspendimin e një zyrtari policor i cili ishte me detyrë në Drejtorinë e Policisë së Kryeqytetit me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.
Veprimet hetimore janë duke u ndërmarrë në koordinim me Prokurorinë e Shtetit përderisa rasti trajtohet në procedurë të rregullt.
Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave për të dy rastet”, thuhet më tej në njoftim.



