Në fshatin Zerqan të Bulqizës, po vijon restaurimi i një banese tradicionale, e shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë, pjesë e trashëgimisë kulturore rurale dhe dëshmi e arkitekturës së shekujve XVI–XIX.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se ndërhyrja po realizohet nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, me qëllim ruajtjen e autenticitetit dhe rikthimin e plotë të vlerave historike të objektit.
“Kjo banesë tradicionale, Monument Kulture i kategorisë I dhe pjesë e një kompleksi rural, përfaqëson një dëshmi të gjallë të arkitekturës së shekujve XVI–XIX, me gur, qerpiç dhe elementë druri të punuar me finesë”, tha ministri.
Sipas tij, restaurimi synon jo vetëm konservimin e një pasurie të rëndësishme të trashëgimisë kombëtare, por edhe krijimin e mundësive të reja për zhvillimin e turizmit kulturor dhe jetës komunitare në zonë.
Në përfundim të punimeve, banesa pritet të shndërrohet në muze familjar dhe hapësirë pritëse për vizitorët, duke shërbyer si një model i lidhjes mes ruajtjes së identitetit historik dhe zhvillimit të qëndrueshëm lokal.
“Ky restaurim jo vetëm rikthen në jetë një vlerë të rëndësishme të memories sonë kombëtare, por krijon edhe mundësi të reja për jetën komunitare dhe turizmin kulturor. Në vijim, banesa synohet të shndërrohet në muze familjar dhe hapësirë sociale për vizitorët”, u shpreh Gonxhja. /atsh



